Në një takim me qytetarët, Orest Berberi ka bërë thirrje për reflektim dhe ripërtëritje brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita ka nevojë për njerëz të ndershëm që nuk ndikohen nga interesat personale apo përfitimet e momentit.
Gjatë fjalës së tij, Berberi tha se një nga arsyet e humbjeve politike të Partisë Demokratike ka qenë mungesa e reagimit dhe e bashkimit në momentet më të rëndësishme.
“Kemi ardhur të themi disa të vërteta që shumë njerëz i mendojnë, por pak kanë guximin t’i thonë. Humbja erdhi edhe sepse shpesh u sollëm si një forcë që nuk ishte gati për betejë. Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarëve kur hesht përballë sfidave”, u shpreh ai.
Berberi nënvizoi se nuk beson se Partia Demokratike e ka mbyllur misionin e saj politik, duke shtuar se brenda saj ka ende individë që nuk e konsiderojnë politikën si biznes personal.
“Unë refuzoj të besoj se ky është fundi i PD-së. Kjo parti ka ende njerëz të ndershëm dhe njerëz që nuk e shohin politikën si biznes personal”, deklaroi ai.
Sipas Berberit, demokratët kanë nevojë për një parti që u shërben qytetarëve dhe jo interesave të individëve të veçantë. Ai theksoi se PD duhet të mbështetet te të rinjtë dhe te figura që nuk ndryshojnë qëndrim sipas rrethanave politike.
“PD ka nevojë për njerëz që nuk blihen dhe nuk ndryshojnë qëndrim sipas interesit të momentit. Ka nevojë për të rinj që nuk janë peng i askujt dhe për një politikë që i shërben qytetarëve”, tha Berberi.
Deklaratat e tij vijnë në prag të Kuvendit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, ku priten diskutime mbi reformimin e strukturave drejtuese dhe orientimin e ardhshëm politik të opozitës.
