PL kërkon transparencë për gjyqin e Ilir Metës: Të transmetohet live, kafazi i xhamit cenon prezumimin e pafajësisë

Data

Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që të garantojë transparencë të plotë në procesin gjyqësor ndaj kreut të saj, Ilir Meta, duke kërkuar transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore.

Në një deklaratë për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, theksoi se kërkesa për transmetim live nuk është politike, por buron nga parimi i publicitetit të gjykimit dhe nga e drejta e qytetarëve për t’u informuar mbi një proces me interes të lartë publik.

Sipas saj, çdo qytetar duhet të ketë mundësinë të ndjekë nga afër akuzat, provat dhe argumentet e paraqitura në sallën e gjyqit, duke vlerësuar se transparenca është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe standardet europiane të drejtësisë.

Partia e Lirisë shprehu gjithashtu mbështetje për qëndrimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me përdorimin e kafazit të xhamit gjatë seancave gjyqësore. Sipas PL-së, kjo praktikë cenon prezumimin e pafajësisë, krijon perceptim publik të fajësisë dhe vështirëson komunikimin mes të pandehurit dhe avokatëve të tij.

“Askush nuk duhet të paraqitet para opinionit publik si fajtor përpara se një gjykatë të ketë dhënë një vendim të formës së prerë”, thuhet në deklaratë.

Partia e Lirisë argumenton se procesi ndaj Ilir Metës ka interes të jashtëzakonshëm publik për shkak të funksioneve të larta shtetërore që ai ka mbajtur ndër vite si President i Republikës, Kryeministër dhe Kryetar Kuvendi.

Në përfundim të deklaratës, PL kërkon që gjykimi të zhvillohet sipas standardeve kushtetuese dhe europiane, me transparencë maksimale dhe pa kufizime për publikun.

“Kërkojmë që procesi gjyqësor ndaj Presidentit Ilir Meta të transmetohet live dhe të hiqet dorë nga praktika e vendosjes së tij në kafazin e xhamit. Shqiptarët meritojnë të shohin, dëgjojnë dhe gjykojnë vetë atë që ndodh në emër të drejtësisë”, përfundon reagimi i Partisë së Lirisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related