Një nga asetet e verifikuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me hetimet për dosjen “5D” është një pronë (vilë) e cila ndodhet në zonën e “Pazarit të Ri”.
Sipas hetimeve, kjo pronë rezulton të jetë në emër të prindërve të Redi Mollës, ish- drejtori i Ujësjellësit të Tiranës i arrestuar në lidhje me skandalin e korrupsionit dhe vjedhjeve përmes tenderave në Bashkinë e kryeqytetit. “Ora News” mëson se për rikonstruksionin e vilës është angazhuar pikërisht kompania 5D.
Sipas dosjes, rezulton se për pasurinë e mësipërme është lidhur kontrata e qirasë me datën 21 mars 2023 kundrejt një pagese prej 6 mijë eurosh në muaj për t’u përdorur për qëllime biznesi.
Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje palën qiramarrëse, e cila ka deklaruar se vilën e ka marrë në gjendjë të rikonstruktuar dhe për pagesat kishte folur me Redi Mollën.
Shtetasja I. Sh, e cila ka marrë me qira objektin ka deklaruar se qiradhënësit janë: Selim dhe Ollga Molla, por që asnjëherë nuk i ka takuar.
