Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të SPAK për sekuestrimin e një vile në Dhërmi, e cila dyshohet se lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se zhvillimet e fundit kanë konfirmuar denoncimet e bëra më herët nga opozita për pasuri të fshehura që, sipas tij, lidhen me afera korruptive. Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm proceduralë dhe të kërkojë sërish autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ballukut.
“Më 26 shkurt paralajmëruam publikisht se Belinda Balluku dispononte pasuri të fshehura të krijuara nga aferat korruptive. Brenda pak muajsh, SPAK ka dokumentuar dy pasuri të dyshuara të fshehura në jug të vendit, një vilë prej 300 metrash katrorë që lidhet me Ballukun dhe një tjetër pronë që lidhet me ish-sekretaren e saj të përgjithshme”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, zhvillimet e fundit rëndojnë më tej pozitën ligjore të ish-zv.kryeministres, e cila tashmë përballet edhe me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash.
Bardhi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka mbrojtur politikisht Ballukun, duke deklaruar se “të korruptuarit mbrojnë të korruptuarit”.
Në përfundim të reagimit të tij, ai i bëri thirrje SPAK-ut që të veprojë me profesionalizëm dhe vendosmëri, duke zbatuar ligjin pa asnjë ndikim politik.
“Është detyrë e SPAK të rikërkojë arrestimin e Belinda Ballukut. Pozita e saj është rënduar ndjeshëm nga provat dhe akuzat e reja. Koha për të vepruar është tani”, përfundon reagimi i Bardhit.
