Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e ka cilësuar historik vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në betejën kundër pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Sipas Shehajt, ky vendim shënon një precedent të fortë, por nuk përbën ende fundin e pandëshkueshmërisë, pasi përgjegjësia kryesore, sipas tij, qëndron më lart në hierarkinë e pushtetit.
“Ky është një moment historik. Nga sot Belinda Balluku nuk shkon më në zyrë, nuk firmos më dhe nuk mund të vazhdojë të abuzojë me paratë e qytetarëve shqiptarë. Por kjo nuk mjafton,” u shpreh Shehaj.
Ai theksoi se tani është radha e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si figurën kryesore përgjegjëse për korrupsionin në vend.
“Çdo shqiptar e di që në krye të korrupsionit është Edi Rama. Vetëm kur Kryeministri të dalë para drejtësisë, atëherë mund të flasim realisht për fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri,” deklaroi Shehaj.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një sinjal i qartë se drejtësia mund dhe duhet të veprojë edhe ndaj funksionarëve më të lartë të shtetit, duke mos u ndalur vetëm te figurat dytësore të qeverisë.
“Ky vendim nuk duhet të jetë fundi i historisë, por fillimi i saj,” përfundoi Shehaj.
