Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një goditje të fortë politike kryeministrit Edi Rama, duke lënë në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas një mbledhjeje maratonë që zgjati mbi 10 orë.
Vendimi u mor me votim të ndarë 4 me 4, çka sipas ligjit do të thotë rrëzim automatik i kërkesës së ankimuesit, në këtë rast Kryeministrit Rama. Për ta fituar betejën në Kushtetuese, Rama duhej të siguronte minimumi 5 vota, gjë që nuk ndodhi.
Gazetarja Klodiana Lala shpjegoi se në rastet kur nuk arrihet shumica e cilësuar, mbetet në fuqi vendimi i mëparshëm, pra vendimi i GJKKO dhe kërkesa e SPAK për pezullimin e Ballukut nga detyra.
“Kërkesa e Kryeministrit nuk mori kuorumin e nevojshëm. Votimi 4 me 4 e rrëzon automatikisht ankimimin dhe e lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i ministres dhe zv/kryeministres”, sqaroi Lala pas shpalljes së vendimit.
Sipas saj, gjyqtarët u ndanë në dy kampe:
– 4 gjyqtarë argumentuan se SPAK dhe GJKKO duhej t’i drejtoheshin Kuvendit për autorizim, duke pretenduar se pezullimi prek balancën e pushteteve dhe imunitetin politik.
– 4 gjyqtarë të tjerë vlerësuan se masa është plotësisht e ligjshme, pasi nuk cenon mandatin e deputetes, por vetëm funksionin ekzekutiv të Ballukut si ministre dhe zv/kryeministre.
Emrat e gjyqtarëve dhe mënyra e votimit nuk janë bërë publikë, por rezultati përfundimtar është i qartë: Balluku mbetet e pezulluar nga detyra.
Ky vendim shihet si një dështim i hapur i përpjekjes së Ramës për të rrëzuar masën e sigurisë, ndërsa hap rrugën për zhvillime të reja në kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres.
