Eksperti i shëndetit publik, Qamil Dika, ka reaguar pas rastit të denoncuar në Korçë, ku një mjek 72-vjeçar u akuzua nga një 21-vjeçare për ngacmim seksual gjatë një vizite mjekësore.
I ftuar në një studio televizive, Dika e cilësoi ngjarjen si një rast të përsëritur dhe theksoi se sjellje të tilla janë të papranueshme për sistemin shëndetësor publik.
Sipas tij, institucione të tilla nuk mund të mbajnë profesionistë që cenojnë etikën dhe sigurinë e pacientëve.
“Rast i përsëritur ku mjekë në sistemin shtetëror kryejnë ngacmime seksuale ndaj pacientëve. Sistemi nuk mund të mbajë profesionistë të tillë që kanë këto qasje me pacientët. Kjo është e papranueshme”, u shpreh ai.
Eksperti ngriti shqetësimin se në disa raste pacientët në sistemin shtetëror trajtohen pa dinjitetin dhe mbrojtjen e nevojshme.
“Shpesh pacienti në sistemin shtetëror konsiderohet si pronë private që mund të depersonalizohet dhe shfrytëzohet”, deklaroi Dika.
Ai vuri në dukje edhe faktin që mjeku i akuzuar ishte 72 vjeç dhe vijonte të ushtronte profesionin në spitalin rajonal, duke kërkuar që të ketë më shumë vëmendje dhe kontrolle për raste të tilla.
“Ndoshta është koha që të evidentojmë faktin që për mjekë të kësaj moshe duhet të ketë më shumë verifikime dhe standarde të qarta”, tha ai.
Dika theksoi gjithashtu nevojën për rregullore dhe protokolle specifike në spitale, sidomos gjatë ekzaminimeve të pacienteve femra.
“A ka një rregullore spitali ku saktësohet procedura që duhet të ndiqet dhe kur kemi një paciente femër duhet të shoqërohet nga një infermiere? Kjo është pjesë e etikës profesionale, por nuk di nëse është pjesë e protokolleve të spitaleve”, u shpreh eksperti.
Rasti në Korçë ka rikthyer debatin mbi sigurinë e pacientëve dhe standardet etike në institucionet shëndetësore publike.
