Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për abuzime me tendera publikë.
Në qëndrimin e tij publik, Koçi thekson se Parlamenti duhet të ruajë standardin e deritanishëm dhe të mos devijojë nga praktika e ndjekur në rastet e mëparshme të kërkesave të SPAK për heqje imuniteti.
“Kuvendi duhet të ruajë standardin e vendosur prej kohësh në rastet e kërkesave të SPAK për heqjen e imunitetit”, shprehet Koçi, duke pranuar se situata është e vështirë për Partinë Socialiste, por jo e parikuperueshme.
“Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen”
Ish-ligjvënësi socialist shkon më tej, duke deklaruar se Belinda Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen ose të ishte shkarkuar që në momentin kur u shpall fillimi i ndjekjes penale ndaj saj.
“Do të ishte e këshillueshme dorëheqja e ministres Balluku, edhe pse e vonuar. Personaliteti i një politikani nuk varet nga fakti nëse është apo jo ministër”, shkruan Koçi.
Ai sqaron gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e shpalli Ballukun të pafajshme, por vetëm pezulloi masën e pezullimit nga funksioni ekzekutiv, pa shpallur fitues apo humbës institucional.
Qëndrim ndaj SPAK dhe drejtësisë
Sipas Petro Koçit, kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit nuk është hakmarrje, por një vijimësi logjike e procesit penal, duke theksuar se më herët Prokuroria kishte kërkuar edhe masa më të favorshme për ministren Balluku.
Ai thekson se mbështetja e deritanishme e PS për SPAK dhe GJKKO mbetet një histori suksesi, e cila nuk duhet të shënojë asnjë hap prapa, pavarësisht tensioneve politike.
Ndërkohë, Koçi akuzon opozitën se po e përdor situatën për teatër politik, duke shtuar se PD, sipas tij, nuk është e interesuar për legjitimimin moral të drejtësisë së re, por për hallet e veta penale.
Apel për qëndrim etik brenda PS
Në fund, ish-deputeti socialist bën apel për përgjegjësi morale dhe njerëzore brenda Partisë Socialiste, duke theksuar se çdo triumfalizëm apo “fërkim duarsh” ndaj situatës së Ballukut do të ishte i papranueshëm.
“Duhet kujdes. Kjo është një rrethanë që dëmton imazhin e Partisë Socialiste, jo vetëm një person. Urimi më moral është pafajësia në fund të procesit”, përfundon Koçi.
