INTERPOL “zbarkon” në Tiranë, 200 drejtues të lartë policie dhe agjencish ligjzbatuese bëhen bashkë për të luftuar krimin e organizuar, si do futen në lojë ndërkombëtarët për operacionin e madh që ka gati SPAK për të goditur politikanë, dhjetëra punonjës policie, gjyqtarë e prokurorë

Data

Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL – Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, nisën dje Konferencën Rajonale të INTERPOL për Europën, ku morën pjesë rreth 200 përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Europës e më gjerë. Punimet e konferencës zgjasin 3 ditë dhe do të ketë fjalime të autoriteteve të larta shtetërore të Shqipërisë dhe drejtuesve të INTERPOL-it. Por “zbarkimi” i INTERPOL në Tiranë vjen në një moment ku, këto ditë po përgatitet të kryhet nga struktura e posaçme SPAK, operacioni më i madh është që është bërë ndonjëherë në vendin tonë. Në fokus të hetimit janë qindra persona të cilët mësohet se përmes aplikacionit “Sky” janë të implikuar në veprimtari kriminale. Goditja e madhe, ka në fokus, politikanë, dhjetëra punonjës policie, gjyqtarë dhe prokurorë që kanë përdorur aplikacionin “SKY”, nga ku kanë hyrë në kontakt me njerëzit e botës së krimit, duke i mbështetur dhe favorizuar në aktivitetet e tyre kriminale.

Mesazhi nga Presidenti INTERPOL

Për të arrestuar këta persona që shumë prej tyre kanë marrë arratinë, do të duhet një bashkëpunim shumë i ngushtë i SPAK me ndërkombëtarët.  Presidenti i INTERPOL, Ahmed Naser Al-Raisi vlerësoi dje në konferencën Europiane të zhvilluar në Tiranë rolin e Shqipërisë, si shembull i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar. “Do doja të theksoja rolin e Shqipërisë si pjesë e INTERPOL. Që nga koha kur është anëtarësuar, më 4 Nëntor 1991, Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse aktive në të gjithë përpjekjet tona, bashkëpunuese, kolektive. Angazhimi i tyre në operacion është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo iniciativë ka për synim ndalimin e krimit kibernetik, transnacional, ka pasur të gjitha këto arritje shumë të rëndësishme, përfshirë uljen deri në 70 për qind e serverëve të kontrollit dhe komandës dhe identifikimin e 1300 adresave IP të dyshimta. Pjesëmarrja e Shqipërisë reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike”, tha presidenti i INTERPOL, Al-Raisi. Sipas tij, në vitin 2023 janë kryer një seri operacionesh të suksesshme. “INTERPOL me mbështetjen e partnerëve ka bërë progres të rëndësishëm në operacionet në Evropë. Kemi kryer 4 operacione kryesore me 29 vende anëtare. 505 automjete të vjedhura janë kapur, 2000 pjesë të këtyre automjeteve gjithashtu janë sekuestruar. Po ashtu konfiskuam 2.3 tonë drogë ilegale. Një operacion i koordinuar kundër korrupsionit u vunë në jetë bashkë me autoritetet franceze, britanike e të SHBA. U ndaluan në Moldavi 4 të identifikuar dhe u identifikuan shumë të tjerë. Asnjë nga këto arritje nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen tuaj. Duhet të bëjmë gjithçka që është mundur për të ruajtur vlerat që në kemi”, tha ai.

Goditja e kriminelëve në gjithë botën

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Interpol, Jürgen Stock tha se Shqipëria po luan një rol me rëndësi në zbulimin dhe identifikimin e kriminelëve shqiptar në të gjithë botën. Gjatë fjalës së tij nga Konferenca e 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europë, ai tha se edhe vendet e tjera anëtare të Interpol duhet që të jenë aktive si Shqipëria në çmontimin e grupeve të organizuara kriminale. “Shqipëria ka ruajtur një rol me rëndësi në gjetjen e kriminelëve kudo që ata fshihen. Kriminelët po kalojnë kufijtë dhe ne sot kemi edhe internetin që bënë të mundur të kemi një botë që krimi të jetë në të gjitha vendet e Europës. Duhet që të bashkëpunojmë dhe duam që të sigurohemi që nuk ka vende të pasigurta nga kriminelët. Shqipëria bënë të mundur identifikimin e  këtyre kriminelëve si trafikantët e drograve, emigrantët e paligjshëm, ata që kalojnë fëmijët. Ata po shpërndahen në të gjithë globin dhe Shqipëria po bënë të mundur identifikimin e lëvizjeve që ata bëjnë. Po bashkëpunojmë gjithmonë edhe më shumë dhe shpresojmë që të gjitha vendet anëtare të Interpol të jenë aq aktive sa është Shqipëria dhe policia e Shqipërisë në shkëmbimin e informacionit dhe për të qenë pjesë e operacioneve në çmontimin e grupeve të organizuara kriminale”, tha ai. Stock u shpreh se një rol me rëndësi kanë edhe qytetarët që të raportojnë një krim për të cilin kanë informacion në polici. “Inkurajojmë komitetin që të raportojnë krimet që ndodhin. Krimi duhet të raportohet tek policia dhe të bëhet shkëmbimi i informacionit mes policive në lidhje me kriminelët që kanë aktivitet në disa vende që u  fshihen prokurorëve dhe bëjnë pastrim parash, ky është problem i madh”, tha ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related