Porti i Xhenovës është shndërruar në një nga nyjet kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke furnizuar jo vetëm tregjet e qyteteve italiane, por edhe ato të Europës Veriore. Si porti më i madh i Italisë për nga sipërfaqja, volumi i trafikut dhe numri i punonjësve, ai përbën një pikë strategjike për organizatat kriminale.
Çdo vit, përmes portit të Xhenovës kalojnë rreth 2.8 milionë kontejnerë. Vetëm rreth 5 për qind e tyre i nënshtrohen kontrolleve, ku një pjesë verifikohet përmes dokumentacionit, ndërsa pjesa tjetër skanohet ose hapet fizikisht. Ky fluks i madh e bën më të lehtë fshehjen e lëndëve narkotike mes mijëra ngarkesave legjitime.
Droga fshihet në mënyra gjithnjë e më kreative: brenda bananeve prej qeramike, arrave të kokosit, tullave apo çantave të kamufluara në strukturat metalike të kontejnerëve. Autoritetet italiane, përmes bashkëpunimit mes Guardia di Finanza dhe Agjencisë së Doganave, përpiqen të ndalojnë që ngarkesat e paligjshme të dalin nga porti dhe të përfundojnë në rrjetet kriminale.
Procesi i kontrollit nis me skanimin e kontejnerëve, ku operatorët identifikojnë anomali të dyshimta. Në rastet kur konstatohet diçka e pazakontë, aktivizohet menjëherë alarmi dhe kontejneri hapet për inspektim të detajuar. Shpesh, brenda tyre zbulohet drogë, kryesisht kokainë e ardhur nga Amerika e Jugut, e paketuar me shenja dalluese që identifikojnë organizatën kriminale dhe origjinën e saj.
Kapja e drogës është një garë me kohën. Pasi identifikohet një ngarkesë e dyshimtë, analizat e para kryhen në vend, ndërsa më pas lënda narkotike i nënshtrohet testeve kimike në laboratorë të lëvizshëm për të konfirmuar përbërjen.
Autoritetet raportojnë se në muajt e fundit janë sekuestruar qindra kilogramë kokainë, por janë zbuluar edhe raste me heroinë dhe droga sintetike. Në disa raste, droga është gjetur edhe në det, e hedhur nga trafikantët përpara se anijet të mbërrinin në port.
Sipas hetimeve, rrugët kryesore të trafikut nisin nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia dhe Ekuadori. Ngarkesat menaxhohen kryesisht nga organizata kriminale kalabreze dhe nga grupe shqiptare, të cilat bashkëpunojnë në kuadër të aleancave të qëndrueshme kriminale.
’Ndrangheta konsiderohet një nga aktorët më të fuqishëm në trafikun global të drogës dhe ka një rol kyç edhe në portin e Xhenovës, duke lehtësuar nxjerrjen e lëndëve narkotike nga zona doganore. Droga që arrin të kalojë kontrollet ka si destinacion kryesor tregun ilegal të Milanos, por edhe Europën Veriore dhe qytete të tjera italiane, përfshirë vetë Xhenovën.
