Partitë politike të Groenlandës kanë reaguar njëzëri kundër deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka pohuar se Shtetet e Bashkuara do ta marrin nën kontroll ishullin arktik “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të premten në mbrëmje, pesë partitë e përfaqësuara në parlamentin lokal theksuan se e ardhmja e Groenlandës nuk mund të vendoset nga fuqi të huaja.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë. Nuk duam të jemi danezë. Duam të jemi groenlandezë”, deklaruan udhëheqësit politikë të ishullit.
Ata nënvizuan se vetëm populli i Groenlandës ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e vendit dhe i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndalojnë, sipas tyre, mosrespektimin ndaj sovranitetit të Groenlandës.
Reagimi vjen pas deklaratave të Trump nga Shtëpia e Bardhë, ku ai tha se SHBA do të ndërhyjë për Groenlandën, pavarësisht nëse kjo pëlqehet apo jo nga banorët e saj. Sipas tij, nëse Uashingtoni nuk vepron, ishulli mund të bjerë nën ndikimin e Rusisë ose Kinës, gjë që ai e cilësoi si kërcënim për interesat strategjike amerikane.
Trump argumentoi se vendet duhet të kenë pronësi dhe kontroll mbi territore strategjike për t’i mbrojtur ato, duke theksuar se Groenlanda është një çështje sigurie për Shtetet e Bashkuara. Ai përsëriti se ishulli do të merret “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”, deklaratë që ka nxitur reagime të forta politike në Groenlandë dhe më gjerë.
