Janë përuruar ambientet e reja të GJKKO në një ceremoni të zhvilluar në Ditën e Drejtësisë.
Kreu i GJKKO-së, Erion Bani, tha se godina e re është realizuar me mbështetjen e Bashkimi Evropian, si një vlerësim për institucionet shqiptare të drejtësisë.
Sipas Banit, investimi synon rritjen e standardeve profesionale dhe afrimin e drejtësisë me qytetarin.
“Drejtësia është, para së gjithash, një shërbim për qytetarin. Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik”, deklaroi ai gjatë ceremonisë.
Kreu i GJKKO-së theksoi se frymëzimi për transformimin e ambienteve erdhi nga përvoja e gjykatave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se infrastruktura gjyqësore është pjesë e kulturës së drejtësisë dhe autoritetit të ligjit.
Ai e cilësoi projektin jo si luks, por si një domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
