Një shtetas amerikan i evakuuar nga anija turistike “MV Hondius” ka rezultuar pozitiv me hantavirus, ndërsa një tjetër pasagjer paraqet simptoma të lehta, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dy personat ndodheshin në një fluturim riatdhesimi të organizuar nga qeveria amerikane dhe po transportohen drejt njësive të posaçme të izolimit biologjik. Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë, të 17 qytetarët amerikanë që ndodheshin në fluturim do t’i nënshtrohen kontrolleve të mëtejshme mjekësore në një strukturë shëndetësore në Nebraska.
Pasagjerët janë pjesë e më shumë se 90 personave që ndodheshin në bordin e anijes turistike, aktualisht e ankoruar në Ishujt Kanarie, pas shpërthimit të virusit.
Deri tani janë konfirmuar tre viktima: një çift holandez dhe një grua gjermane. Dy prej viktimave rezultuan pozitivë me hantavirus.
Sipas OBSH, disa pasagjerë dyshohet se janë infektuar me variantin “Andes” të hantavirusit gjatë qëndrimit në Amerika e Jugut. Ky variant konsiderohet i rrallë pasi mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje ekstreme, dhimbje muskulore, probleme gastrointestinale dhe vështirësi në frymëmarrje.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se mosrespektimi i udhëzimeve të organizatës mund të rrisë rrezikun e përhapjes së virusit. OBSH rekomandon izolim 42-ditor për personat që largohen nga anija.
Nga ana tjetër, drejtuesi i përkohshëm i CDC, Jay Bhattacharya, deklaroi se nuk ka arsye për panik publik, pasi transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet i rrallë.
Ndërkohë, disa vende europiane kanë nisur procedurat e izolimit për qytetarët e kthyer nga anija. Në Francë, një grua e kthyer nga udhëtimi ka rezultuar pozitive dhe ndodhet në izolim në Paris.
