Tensione janë regjistruar gjatë seancës plenare në Kuvend, ku deputetja socialiste Ogerta Manastirliu dhe deputetja demokrate Ina Zhupa u përfshinë në një debat të drejtpërdrejtë. Përplasja ndodhi teksa Manastirliu po fliste nga foltorja për çështjen e pagave të mësuesve të diplomuar para sistemit të Bolonjës, moment në të cilin Zhupa ndërhyri nga vendi i saj.
Reagimi i Manastirliut ishte i ashpër, duke iu drejtuar Zhupës me pyetjen: “Ke gjë personale me mua?”, ndërsa ndërhyrjet nga salla vijuan për disa çaste.
Pas përfundimit të fjalës së saj, deputetja Ina Zhupa kërkoi me insistim të merrte fjalën për replikë, por kërkesa iu refuzua nga nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu. Kjo solli reagime të tjera nga Zhupa, e cila akuzoi drejtimin e seancës për shkelje të rregullores dhe mohim të së drejtës për debat.
