Seanca e sotme plenare u shoqërua me tensione, replika të ashpra dhe ironi mes deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Debati shpërtheu pasi Shehaj akuzoi mazhorancën se po mbronte ish-ministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për një sërë aferash me fondet publike.
Shehaj deklaroi se prej një muaji kërkon interpelancë me Ballukun, por pas shkarkimit të saj kjo procedurë nuk është më e mundur. Ai theksoi se mazhoranca po i shmanget llogaridhënies, por — sipas tij — nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
“S’ka më justifikime. Ju kërkoni të shmangni llogaridhënien, por nuk shpëtoni dot,” u shpreh Shehaj. “Kur u arrestua Veliaj, thoshnit se ishte çështja e tij. Tani që është marrë e pandehur Balluku, thoni se është çështja e saj. Tani hetimet shkojnë te Mirlinda Kërçanaj e AKSHI-t. Vërtet mendoni se janë raste të veçuara? S’keni ç’i bëni drejtësisë dhe as SPAK-ut, sepse kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve.”
Ai ironizoi më tej me Taulant Ballën, duke thënë se ky i fundit “nuk guxon të përmendë drejtësinë, sepse ka frikë të mos përfundojë si të tjerët”.
Kjo deklaratë nxiti irritimin e Ballës, i cili reagoi menjëherë nga vendi me tone të forta.
“Kur të përmendësh emrin tim, laj gojën dhe bëj gargare me ujë të kripur të Vlorës,” iu përgjigj Balla, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga socialistët. “Po u pendua Lulzim Basha, do tregojë se sa para ke paguar për të marrë mandatin e deputetit në vitin 2017. Kujdes se mos e bën të penduar Lulin.”
Në vijim, Shehaj vazhdoi akuzat duke e cilësuar situatën si “ndryshim historik”, ku drejtësia — sipas tij — po vepron mbi zyrtarë të lartë pa mundësi presioni politik. Ai theksoi se mazhoranca nuk do të jetë në gjendje të blokojë procesin.
“Bashkëpunoni me drejtësinë se ju ka ardhur fundi,” përfundoi Shehaj.
Përplasja la të nënkuptueshme se çështjet e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë dhe roli i SPAK-ut pritet të jenë tema dominuese në debatet politike në javët e ardhshme.
