Deputetja e Partisë Demokratike dhe ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ka sulmuar ashpër mazhorancën gjatë seancës së sotme plenare, duke e akuzuar qeverinë për skandale të njëpasnjëshme dhe korrupsion të përhapur në të gjitha nivelet. Me ironi dhe tone të forta, Topalli deklaroi se qeveria tashmë ka humbur kontrollin dhe po shkon drejt rrënimit.
Gjatë fjalës së saj, Topalli u shpreh se skandalet që kanë përfshirë ministrat dhe drejtuesit e institucioneve kanë lënë në hije punimet normale të Kuvendit, ndërsa mazhoranca po shmang debatet e rëndësishme.
“Kjo qeveri është e zhytur kokë e këmbë në skandale,” tha ajo. “Treçereku i qeverisë që keni këtu është i zhytur në skandal. Drejtoni një qeveri që është si një anije që ka marrë ujë dhe timonieri e ka humbur drejtimin — dhe timonieri është kryeministri.”
Topalli u ndal në situatën politike të javëve të fundit, duke theksuar se qeveria ka hyrë në një krizë të thellë pas zhvillimeve të fundit me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
“Për tre muaj është përmbytur dhe përmbysur çdo gjë,” tha ajo. “Nuk është përmbysur si disa qytete nga uji, por nga pesha e jashtëzakonshme e korrupsionit të këtij pushteti. Është shkatërruar gjithçka.”
Duke iu drejtuar mazhorancës, ish-kryeparlamentarja kërkoi reflektim dhe përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi, duke nënvizuar se qeveria tashmë nuk ka më legjitimitetin e dikurshëm.
“Duhet të jemi të përgjegjshëm për situatën ku ndodhemi,” përfundoi ajo. “Kjo qeveri është e rënë, në krizë, dhe vendi po paguan koston e shkatërrimit institucional që ka shkaktuar ky pushtet.”
