Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar sot në Kuvend se ish-ministrja Belinda Balluku “mund t’i ketë shpëtuar interpelancave”, por përfundoi nën një situatë shumë më të rëndë, duke u marrë e pandehur nga SPAK për aferat korruptive të dyshuara në projekte publike.
Shehaj, i cili prej dy muajsh ka kërkuar një interpelancë me Ballukun, theksoi se pas shkarkimit të saj nga detyra kjo procedurë nuk është më e mundur, por përgjegjësia politike dhe penale mbetet. Ai u drejtua mazhorancës duke i akuzuar se po përpiqen të shmangin llogaridhënien, edhe pse — sipas tij — drejtësisë nuk i shpëtojnë dot.
“I shpëtoi interpelancës, por përfundoi më keq,” tha Shehaj. “Ju doni të shmangni llogaridhënien, por nuk i shmangeni dot. Nuk është çështje Veliaj, as çështje Balluku. Tani hetimet kanë shkuar te Mirlinda Kërçanaj e AKSHI-t.”
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Shehaj theksoi se fenomeni nuk është i izoluar, por pjesë e një skeme më të gjerë ku po zbardhen, një nga një, aferat e zyrtarëve të lartë të qeverisë.
“Vërtet mendoni se kemi të bëjmë me çështje të veçuara?” pyeti ai. “Ka ndryshuar realiteti. Tani duhet të jepni llogari, sepse nuk keni se çfarë t’i bëni SPAK-ut. Ata kanë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.”
Sipas tij, reagimi i mazhorancës tregon se synon të shmangë përballjen me akuzat e rënda që rëndojnë mbi ish-ministren dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa institucionet e drejtësisë po avancojnë hetimet mbi tenderat, projektet infrastrukturore dhe menaxhimin e fondeve publike.
Shehaj e mbylli fjalën duke theksuar se llogaridhënia tashmë është e pashmangshme dhe se “çdo tentativë politike për të mbrojtur individë të përfshirë në hetime është e destinuar të dështojë”.
