Mbledhja e strukturave të PD Kamëz Paskuqan këtë të mërkurë u kthye në një skenë tensioni të hapur. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demorkatike, Flamur Noka dhe deputetja Albana Vokshi u përballën me kritika të drejtpërdrejta nga anëtarë të kryesisë së degës, të cilët kërkuan llogari për mungesën e konsultimit me bazën dhe mashtrimet e perceptuara me procesin e primareve. Debati nisi kur një demokrate kërkoi analizë për humbjet dhe shpjegime për mënyrën se si po merret vendimmarrja. Noka reagoi duke tentuar ta ndalonte të fliste dhe tensioni u rrit menjëherë. Në videon e shpërndarë nga të pranishmit, demokratja artikulon hapur pakënaqësinë ndaj drejtimit qendror të PD. Ajo thotë se qëndron në parti vetëm për shkak të kontributit të saj, jo për shkak të drejtuesve. Noka i kundërpërgjigjet me ton të ashpër dhe i tregon derën, duke mos shfaqur interes për të dëgjuar shqetësimet e bazës. Ajo i thotë: “Unë nuk jam prej teje, unë prej teje s’rrisha as një sekondë në parti,” ndërsa Noka i kthehet: “Statuti nuk të pyet për primare”.
Debati
Noka: Kur të vish herët e tjera merr lexo statutin…
Demokratja: Unë njëherë nuk jam e punësume te partia jote. Unë në kofsha këtu, jam prej mundimit tem e dijes teme, nuk jam prej teje. Unë t’jem prej teje, unë s’rrisha as nji sekondë në parti. Se m’hjek ti. Ti tash s’mundesh me m’hjekësh në emër tënd. Kur të dalin partia në emër tënd, atëherë m’hjek prej pune.
Noka: Po të sqaroj një gjë. Zonjë, statuti nuk lejon me të pyet ty për primare se e vendos unë si anëtar.
Pas debatit me Nokën, përjashtohet demokratja e Kamzës
Por pas debatit të ashpër në mbledhjen e degës Paskuqan-Kamëz, Anila Aliaj është përjashtuar nga funksioni i anëtares së kryesisë. Në një postim të fuqishëm në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur dje se vendimi erdhi pasi Noka dhe Vokshi refuzuan të merrnin në konsideratë shqetësimet e saj. Veprimi i drejtuesve të partisë ka shkaktuar kritika të shumta, por sipas Aliajt, asnjë reflektim nuk u bë. Ajo thekson se mbetet e palëkundur dhe se përkrahja e qytetarëve ishte më e fortë se çdo përpjekje për ta zbehur. “Dhe masa erdhi, përjashtimi nga grupi për njoftim të anëtarëve të Kryesisë. Si gjithmonë, unë dola fituese, mora respekt dhe përkrahje nga mijëra qytetarë. Fituese pa figurë, pa pushtet, po vetëm me dinjitet, forcë e zë. Unë fitova respektin dhe mbështetjen, ju fituat mospërfilljen dhe faqen e zezë. Ta thashë në sallë me 70 burra, e vetmja femër si anëtare kryesie: vërtet jam femër, po kam burrëri shumë më shumë se ju. I pa burrëri nuk është ndryshe, vetëm si ju”, shkruan ajo.
Reagon Murrizi
Ndërkohë ish-deputeti demokrat, Myslim Murrizi ka reaguar dje pas përplasjes së Sekretarit të PD, Flamur Noka me demokratët e Kamzës gjatë një takimi. Ai debatoi me mbesën e shkrimtarit Martin Camaj për gjendjen ku ndodhet partia dhe më pas e nxori atë jashtë nga salla. Sipas Myslim Murrizit, sjellja e Flamur Nokës, Sali Berishës dhe njerëzve që ata mbajnë rreth vetes, po e dëmton shumë Partinë Demokratike. Murrizi shkruan se Noka, si Sekretar i Përgjithshëm i PD, duhet që t’i lërë demokratët të flasin sepse kjo forcë politike është krijuar pikërisht nga njerëz të lirë, me dinjitet dhe plot kurajo që në Dhjetor 90 dhe do të vazhdojë të ekzistojë po falë tyre. “Pak më ngadalë Flamur. Freno nëse nuk ke djegur komplet ferrotat, se nuk ta kanë fajin DEMOKRATËT që prej vitit 2013 je bërë deputet pa u votuar nga qytetarët, duke u mbyllur me lista sipas kodit zgjedhor bastard të bylykbashizuar.
Anëtarët e PD nuk janë as vartës tuaj e as paguhen, por janë idealistë, kurajozë dhe njerëz që kanë sakrifikuar plot mundim nga vetja për çdo betejë që ka bërë PD në 35 vite. Ti paguhesh Flamur prej vitit 2005 nga kontributi dhe sakrifica e tyre. Lëri të flasin Flamur, mos u bëj si Muho Asllani apo Hekuran Isai, se PD është krijuar nga njerëz të lirë, me dinjitet dhe plot kurajo në dhjetor 1990 dhe do të ekzistojë falë tyre. Nga heshtja dhe servilizmi kemi 12 vjet në opozitë dhe sot jemi në ditët më të vështira të 35 viteve ekzistencë, jo nga debati dhe mendimi ndryshe.
Qetësohu Flamur, se në PD secili ka ardhur për bindjet, programin, idealizmin dhe shpresën për një qeverisje më të mirë se e fundërrinave që qeverisin sot e që kanë masakruar këtë popull në 45 vite komunizëm, jo pse je ti sot sekretar apo pse është Berisha kryetar apo Gazi me Gjekmarkajn dhe Bylykbashin nënkryetar. Nuk i bën asnjë dëm PD kjo ZONJË e nderuar dhe çdo ZË i tillë që buron nga shpirti rebel i çdo DEMOKRATI në çdo cep të Shqipërisë. PD e dëmton jashtë mase sjellja jote Flamur dhe e atij rrethi të ngushtë butakësh rreth teje e Berishës, që nuk ju ka votuar askush në katër palë zgjedhje e ngrifeni sikur ju keni në dorë jetën e kujtdo që mendoni se është vartës i juaj pse është anëtar i PD apo opozitar me Ramën”, shkruan Murrizi në rrjetet sociale.
Reagon Spaho
Ndërkaq edhe ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj Flamur Nokës, pas incidentit në degën e PD në Kamzë. Spaho thotë se kjo sjellje tregon arrogancën që, sipas tij, ka shkatërruar Partinë Demokratike dhe e ka kthyer në një strukturë që përjashton çdo zë kritik. Ai thotë se humbjet e njëpasnjëshme kanë ardhur pikërisht nga ky model drejtimi. Spaho thotë se Noka dhe drejtues të tjerë kërkojnë të eliminojnë këdo që mendon ndryshe nga Sali Berisha. Sipas tij, kjo linjë mbyt debatin e brendshëm dhe prodhon frikë te anëtarët.
Spaho u shpreh se militantët nuk marrin pjesë në protesta sepse drejtuesit i përzënë sa herë që ata kundërshtojnë. “Mbi këtë arrogancë janë ngritur gabimet e rënda dhe humbjet e zgjedhjeve ndër vite në PD. Si mund ta lësh PD në duart e këtij të papërgjegjshmi? Objektivi i tij është të eliminojë këdo që mendon ndryshe nga Berisha dhe Muli dhe të ruajë karrigen e tij në opozitë si Sekretar i Përgjithshëm. A keni parë ndonjë politikan kudo në botë, të përzërë militantët kur ata mendojnë ndryshe nga ai? Prandaj në protestë mblidhen vetëm 200–300 veta.
A e kuptoni sa e vështirë, për të mos thënë tërësisht e pamundur, është të flasësh në forumet e PD, sepse këta të shkrijnë, të hedhin në rrugë, të dhjesin kontributet shumëvjeçare dhe ta lënë familjen pa bukë. Ky tip për muaj me radhë, para zgjedhjeve të 11 Majit, është mburrur nëpër kafene që do ta shohë Edmond Spaho ç’do t’i punojë. Këta politikanë mendjemëdhenj, arrogantë, pa edukatë, pa parime, të shitshëm tek kush ofron më shumë, janë ata që ne “duam” dhe që do na “çojnë” në fitore? Mbajini dhe t’i gëzoni, të gjithë ju që suleni si lukuni ujqërish për të sharë sa më shumë në fejsbuqe. Koka bën koka pëson. Por kur koka nuk mëson nga gabimet është tragjedi e madhe dhe i zoti i kokës po nuk ndryshoi do mbytet në lumë”, shkroi dje Spaho në rrjetet sociale.
