Pas gati shtatë vitesh nga ekzekutimi mafioz i ish-policit Santiago Malko, Gjykata e Posaçme ka dhënë verdiktin përfundimtar në shkallë të parë, duke dënuar me gjithsej 130 vite burg pesë anëtarë të grupit kriminal të përfshirë në atentat.
Leonard Duka u dënua me 30 vite burg, i cilësuar si organizatori dhe porositësi i vrasjes. Ai u arrestua në Belgjikë në vitin 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë. Nga ana tjetër, vëllai i tij, Elvis Duka, u shpall i pafajshëm, pasi SPAK nuk arriti të provojë përfshirjen e tij në ngjarje.
Me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltian Loga, të konsideruar pjesë aktive e grupit të strukturuar kriminal që realizoi atentatin. Seancat gjyqësore u shoqëruan me tensione, ndërsa familjarët e viktimës kërkuan dënime maksimale.
Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019 në Tiranë. Hetimet zbuluan se vrasja lidhej me përplasjet e ashpra mes grupeve rivale të krimit të organizuar, konflikt i dokumentuar edhe përmes komunikimeve të koduara në aplikacionin SkyECC.
Më herët, për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe persona të tjerë në dosje të ndara, duke e bërë këtë çështje një nga proceset më të rënda penale të viteve të fundit në vend.
