Përmbytjet në vend/ Reagon me tone kritike deputeti i PS: Duhet të parandalojmë, jo vetëm të paguajmë dëmet

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me përmbytjet që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, duke theksuar se situata vijon problematike edhe pse reshjet kanë pushuar.

Sipas Braçes, dëmshpërblimet për bagëtitë dhe të mbjellat janë të domosdoshme, por ato nuk mjaftojnë për të kompensuar realisht humbjet ekonomike të fermerëve. Ai vë theksin te parandalimi i dëmeve, duke e konsideruar infrastrukturën mbrojtëse si elementin kyç që po neglizhohet.

Deputeti socialist shprehet se argjinaturat nuk mirëmbahen dhe janë lënë pa kujdes, gjë që ka sjellë çarje të tyre edhe pas përfundimit të reshjeve. Sipas tij, mungon përgjegjësia institucionale për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e këtyre veprave jetike.

“Ne nuk mund të jemi vetëm një shtet që paguan dëmet. Duhet të eliminojmë faktorët që i shkaktojnë ato. Infrastruktura është përgjegjësi e jona. Çarjet e argjinaturave pas reshjeve tregojnë qartë se diçka nuk shkon. Sot argjinaturat janë mall pa zot, nuk kujdeset askush për to, nuk ka as roje”, deklaron Braçe.

Ai shton se e ka përjetuar vetë këtë situatë në Divjakë, një zonë që sot nuk përmbytet falë ndërhyrjeve parandaluese, duke theksuar se modeli duhet të ndryshojë.

“Duhet të ndryshojmë mënyrën si menaxhojmë veprat që janë jetike për banorët. Duhet të investojmë dhe të paguajmë për mirëmbajtjen e tyre, në mënyrë që të mos kthehemi vetëm në një shtet që reagon pasi dëmi është bërë”, përfundon Braçe.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related