Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet në disa zona të vendit.
Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada informon se po monitoron nga afër situatën dhe u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Sipas njoftimit, disa zona në Shqipëri janë aktualisht nën urdhër evakuimi, ndërsa theksohet se përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim. Ambasada paralajmëron gjithashtu se reshjet e shiut mund të sjellin mbyllje rrugësh si pasojë e përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.
Autoritetet amerikane këshillojnë qytetarët të ndjekin udhëzimet e institucioneve lokale dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga moti i keq.
