Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në një pjesë të shëtitores ‘Spile’ në qytetin e Himarës. Si pasojë e prurjeve të larta të ujërave nga zona kodrinore, kanali kullues që shërben për largimin e tyre nuk ka mundur të përballojë sasinë e madhe të reshjeve.
Ujërat kanë dalë nga shtrati i kanalit dhe janë përhapur mbi shëtitore, duke përmbytur një segment të saj dhe duke krijuar vështirësi për qarkullimin e këmbësorëve dhe aktivitetet në zonë.
Sipas banorëve, situata është rënduar edhe për shkak të shembjes së një barriere mbrojtëse përgjatë kanalit kullues, e cila më herët shërbente për të parandaluar daljen e ujërave jashtë shtratit. Ata shprehen se mungesa e mirëmbajtjes ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e situatës.
Fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz, ndërsa autoritetet lokale pritet të ndërhyjnë për normalizimin e situatës dhe parandalimin e përmbytjeve të tjera nëse reshjet vijojnë.
