Situata e përmbytjeve vijon të mbetet e rëndë edhe në Kosovë, ku vërshimet e lumenjve kanë shkaktuar dëme të shumta materiale dhe evakuime të banorëve në disa zona të vendit.
Gjatë natës mes së mërkurës dhe të enjtes, lumenjtë në pjesë të ndryshme të territorit dolën nga shtrati, duke përmbytur zona të tëra në Mitrovicë, Vushtrri dhe Prizren. Banorët raportojnë se situata u përkeqësua gradualisht dhe arriti kulmin gjatë natës, ndërsa dhjetëra banesa kanë mbetur nën ujë.
Dalja nga shtrati e lumit Sitnica ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në komunën e Mitrovicës, ku sipas autoriteteve lokale janë evakuuar 15 familje që ndodheshin në rrezik të drejtpërdrejtë.
Agjencia për Menaxhim Emergjent ka bërë të ditur se në disa zona niveli i ujit ka nisur të bjerë dhe situata po shkon gradualisht drejt përmirësimit. Megjithatë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron se disa lumenj, përfshirë Drinin e Bardhë në rrjedhën e poshtme, Sitnicën, Moravën e Binçës dhe Lepencin, vijojnë të kenë rritje të lehtë të nivelit të ujit.
Reshjet e borës dhe ulja e temperaturave gjatë ditës së enjte e kanë vështirësuar më tej situatën, ndërsa disa rrugë magjistrale që lidhin qytetet kryesore kanë qenë të papastruara deri në mesditë, duke sjellë probleme serioze në qarkullim.
