Franca ka deklaruar se nuk ekziston asnjë plan zyrtar francez për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke hedhur poshtë raportimet e disa mediave ndërkombëtare.
Në një deklaratë për televizionin TF1, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze theksoi se Parisi nuk ka paraqitur asnjë propozim konkret për ndalimin e konfliktit.
“Franca mbështeti hapjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Izraelin nga autoritetet libaneze dhe ofroi lehtësimin e tyre. Do të jetë përgjegjësi e vetë palëve, dhe vetëm e palëve, të përcaktojnë axhendën e këtyre diskutimeve”, u shpreh zëdhënësi.
Më herët, disa media ndërkombëtare raportuan se presidenti francez Emmanuel Macron po përgatiste një plan diplomatik për t’i dhënë fund konfliktit mes Libanit dhe Izraelit.
Sipas këtyre raportimeve, propozimi parashikonte që Libani të njihte për herë të parë Izraelin si shtet, ndërsa në këmbim Izraeli do të tërhiqej nga Libani jugor, zonë që sipas raportimeve kontrollohet nga ushtria izraelite që prej nëntorit të vitit 2024.
Megjithatë, autoritetet franceze theksuan se çdo proces diplomatik do të varet nga vullneti i palëve për të hyrë në negociata dhe për të përcaktuar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
