Vendimi për Ballukun, ora e drejtësisë / Shehaj thirrje qytetarëve: Më 22 janar, të gjithë para Kushtetueses

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar ditën kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrest me burg.

Në një reagim publik, Shehaj akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për Bordin e Paqes si propagandë politike, me qëllimin e vetëm për të ndikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 22 janar.

Sipas tij, kjo ftesë nuk është as e veçantë dhe as personale, pasi e njëjta u është dërguar qindra presidentëve dhe kryeministrave në mbarë botën, përfshirë edhe figura autoritare si presidenti i Bjellorusisë. Megjithatë, Rama – thekson Shehaj – po përpiqet ta shesë këtë si “mburojë” ndaj drejtësisë.

“Vendimi për Ballukun vendos edhe fatin e Ramës”

Shehaj nënvizon se vendimi i 22 janarit është kyç për shtetin e së drejtës, pasi do të përcaktojë nëse një zëvendëskryeministre mund të pezullohet nga detyra kur dyshohet për korrupsion.

“Ky vendim nuk ka të bëjë vetëm me Ballukun. Nëse Kushtetuesja vendos që një zyrtar i lartë i kapur duke vjedhur duhet të pezullohet, i njëjti standard vlen edhe për kryeministrin”, shprehet Shehaj, duke shtuar se kjo është arsyeja pse Rama është i shqetësuar.

Sipas tij, propaganda e ditëve të fundit synon të krijojë presion politik mbi gjykatën, në një moment vendimtar për drejtësinë shqiptare.

Protestë para Gjykatës Kushtetuese

Në këtë kontekst, Partia Mundësia ka njoftuar se më 22 janar, në orën 09:30, mbështetësit e saj do të jenë përpara Gjykatës Kushtetuese, në një protestë paqësore në mbrojtje të drejtësisë dhe kundër korrupsionit.

Shehaj fton qytetarët pa dallim partie të bashkohen, duke e cilësuar këtë ditë si një provë reale për barazinë para ligjit.

100 mijë firma kundër pandëshkueshmërisë

Ai kujton gjithashtu se prej javësh Partia Mundësia ka nisur një peticion për mbledhjen e 100 mijë firmave, në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Firmat, sipas tij, do t’u dërgohen institucioneve ndërkombëtare, si një mesazh i qartë se qytetarët shqiptarë nuk pranojnë më pandëshkueshmërinë e pushtetit.

“22 janari është dita kur duhet të tregojmë se ligji vlen për të gjithë. Hajde më 22 janar, para Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Shehaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related