Sulmi terrorist trondit Australinë: Identifikohen dy autorë, dyshohet për një të tretë! Izraeli: Autoritetet ishin paralajmëruar

Data

Australia ndodhet në gjendje shoku pas sulmit terrorist të ndodhur sot në plazhin e Sidneit, ku u vranë të paktën 12 persona dhe 29 të tjerë mbetën të plagosur, gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre për festën e Hanukkah.

Autoritetet australiane konfirmojnë se një nga autorët u vra gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa një i dytë është plagosur rëndë dhe ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore. Paralelisht, hetuesit po verifikojnë përfshirjen e mundshme të një personi të tretë në sulm.

“Për momentin nuk ka indikacione për sulme të tjera të afërta”, deklaroi një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Australisë, duke shtuar se situata është nën kontroll, por hetimet vijojnë në nivel maksimal.

Kush janë autorët e dyshuar?

Njëri prej sulmuesve është identifikuar si Narvind Akram, 24 vjeç, banues në zonën Bonnyrigg, në jugperëndim të Sidneit. Burime nga zbatimi i ligjit konfirmojnë se policia ka kryer bastisje në banesën e tij, ndërsa po hetohen kontaktet dhe lëvizjet e fundit të tij.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi motivet, por sulmi po trajtohet zyrtarisht si akt terrorist me prapavijë ideologjike dhe urrejtjeje fetare.

Izraeli: “Kishim paralajmëruar për rrezikun”

Ambasadori i Izraelit në Australi, Amir Maimon, deklaroi se numri real i viktimave mund të jetë më i lartë se sa është raportuar zyrtarisht, duke theksuar se kishte pasur paralajmërime të vazhdueshme për rrezik ndaj komunitetit hebre.

“Që nga 7 tetori kemi parë një rritje të ndjeshme të veprimeve armiqësore kundër hebrenjve dhe institucioneve të tyre. Kemi ngritur shqetësimin në mënyrë të përsëritur. Fatkeqësisht, ky sulm e vërteton atë që kemi thënë”, u shpreh Maimon.

Ai shtoi se është “thellësisht i tronditur nga kjo masakër dhe nga dështimi për ta parandaluar”.

Të plagosur dhe pamje paniku

Mes të plagosurve ndodhet edhe Arsen Ostrovsky, përfaqësues i një organizate hebraike në Sidnei. Gjendja e tij raportohet e stabilizuar.

Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku, me qytetarë që vrapojnë për t’u larguar nga zona, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh dhe britma.

Në vendngjarje u gjetën gjithashtu pajisje shpërthyese të improvizuara, të cilat u çmontuan nga njësitë speciale të policisë.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet australiane kanë rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin, veçanërisht pranë objekteve fetare dhe tubimeve publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related