Pensionistët italianë në alarm: Ligji i ri fiskal në Shqipëri krijon pasiguri për taksimin e pensioneve

Data

Ndryshimet e fundit në legjislacionin fiskal shqiptar kanë shkaktuar shqetësim dhe pasiguri te pensionistët italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendbanim të përhershëm. Heqja nga ligji i ri e një neni që parashikonte shprehimisht përjashtimin nga taksat për pensionet e huaja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi trajtimin e tyre fiskal, duke ushqyer frikën për një taksim të mundshëm me një normë rreth 15%.

Deri më tani, pensionistët italianë rezidentë në Shqipëri përfitonin pensionet e tyre të ardhura nga Italia pa u tatimuar në territorin shqiptar. Ky përjashtim ishte i përcaktuar qartë në kuadrin ligjor të mëparshëm dhe konsiderohej një nga arsyet kryesore që kishte nxitur shumë pensionistë të zhvendoseshin në Shqipëri, për shkak të kostos më të ulët të jetesës dhe regjimit fiskal të favorshëm.

Me miratimin e ligjit të ri fiskal, neni që garantonte në mënyrë eksplicite këtë përjashtim është hequr. Edhe pse në tekstin e ri nuk parashikohet drejtpërdrejt taksimi i pensioneve të huaja, mungesa e një reference të qartë ka krijuar një boshllëk interpretues, i cili ka ndezur shqetësime të gjera mes komunitetit të pensionistëve të huaj.

Referuar mediave italiane, shumë pensionistë janë drejtuar pranë konsulentëve fiskalë dhe institucioneve përkatëse për të kërkuar sqarime mbi statusin e pensioneve të tyre. Disa prej tyre kanë shprehur hapur frikën se një taksim i mundshëm do të ndikonte ndjeshëm në të ardhurat mujore, duke vënë në diskutim qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Për pensionistët me të ardhura fikse, çdo ndryshim fiskal ka ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e jetesës, veçanërisht kur vendimi për t’u zhvendosur është marrë mbi bazën e një regjimi tatimor të favorshëm dhe të qëndrueshëm.

Sipas interpretimeve të ekspertëve dhe burimeve informuese jozyrtare, situata aktuale nuk përfaqëson një ndryshim real në trajtimin fiskal të pensioneve italiane. Megjithëse ligji i ri nuk e përmend më shprehimisht përjashtimin, pensionet personale të huaja nuk rezultojnë të përfshira në kategoritë e të ardhurave të tatueshme në Shqipëri.

Gjithashtu, Shqipëria ka në fuqi marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë, të cilat vijojnë të ofrojnë mbrojtje ligjore për pensionistët rezidentë.

Sipas ekspertëve, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë vendim zyrtar, udhëzim administrativ apo akt nënligjor që të parashikojë aplikimin e një takse 15% mbi pensionet italiane. Shqetësimi aktual buron kryesisht nga paqartësia ligjore e krijuar pas heqjes së nenit përkatës nga ligji i ri fiskal.

Megjithatë, mungesa e një deklarate zyrtare dhe sqaruese nga autoritetet shqiptare vazhdon të mbajë të gjallë pasigurinë, duke rritur presionin për transparencë dhe qartësi institucionale ndaj një komuniteti që ka investuar jetën dhe kursimet e tij në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related