Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi u mor pas seancës së zhvilluar këtë të diel, ku Veliaj u paraqit personalisht për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj tij. Trupi gjykues vendosi të lërë në fuqi masën aktuale të arrestit.
Në seancë, Prokuroria e Posaçme u përfaqësua nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët kundërshtuan kërkesën e mbrojtjes, duke argumentuar se rrethanat që çuan në caktimin e masës së sigurisë vijojnë të mbeten të pandryshuara.
Hetimet ndaj Veliajt përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa ai u arrestua më 10 shkurt 2025. Dosja është dërguar për gjykim dhe përfshin gjithashtu bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera të përfshira në çështje.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndaj Erion Veliajt janë ngritur 13 akuza penale, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Shumica e akuzave lidhen me dyshime për korrupsion pasiv në disa raste, ku kompani të ndryshme dyshohet se kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
