Pothuajse një shekull më parë, ujërat e qeta të Liqenit të Shkodrës ishin të gjalla me varka të panumërta prej druri. Peshkimi, transporti, udhëtimi dhe komunikimi mes fshatrave përreth – si Shiroka, Zogaj, Kraja, Ljarja dhe Shestani – mbështeteshin thuajse tërësisht në këto mjete lundrimi, të ndërtuara nga vetë fshatarët ose nga artizanë vendas, punishtet e të cilëve shtriheshin përgjatë brigjeve të lumit Buna.
Ujërat me nuanca të gjelbra të errëta pasqyronin jetën e përditshme të banorëve: peshkatarë që hidhnin rrjetat para agimit, burra e gra që lundronin drejt fshatrave fqinjë, apo njerëz që pushonin mbi varka, duke jetuar në harmoni me natyrën që i rrethonte.
Sot, ndërsa kujtimi i varkave tradicionale është zbehur, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian po përpiqet ta ringjallë këtë trashëgimi, duke rivlerësuar jo vetëm ujërat dhe tokat e pellgut, por edhe biosferën e pasur nënujore e mbiujore, traditat, zanatet, kulturën, festivalet, ritualet dhe mënyrën e jetesës që karakterizon gjithë zonën e Liqenit të Shkodrës.
Në këtë kuadër, zona është nominuar zyrtarisht si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës në UNESCO, në kuadër të Programit “Njeriu dhe Biosfera” (Man and the Biosphere – MAB). Dosja e nominimit u finalizua në kuadër të projektit “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës – një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri–Mali i Zi.
Projekti u zbatua nga një partneritet institucionesh shqiptare dhe malazeze, përfshirë Qendrën EDEN dhe Agjencinë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, si dhe EnvPro dhe Parqet Kombëtare të Malit të Zi.
Pellgu i Liqenit të Shkodrës përfshin vetë liqenin, daljen e tij përmes lumit Buna, lumenjtë Cem dhe Kir me degët e tyre, si dhe bashkimin e Drinit me Bunën. Sipas Klodiana Marikës, Drejtoreshë e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit, këto rrugë ujore krijojnë një peizazh të veçantë dhe dinamik që mishëron historinë e njerëzve dhe të vendit.
“Ky peizazh reflekton ndërvarësinë e thellë mes njerëzimit dhe natyrës, duke përbërë themelin e dosjes së nominimit për UNESCO,” shprehet Marika. Ajo thekson se zona e biosferës së Liqenit të Shkodrës strehon një mozaik të jashtëzakonshëm ekosistemesh, nga liqeni dhe lumenjtë, te deltat, ligatinat, lagunat, rërat bregdetare, pyjet dhe kullotat subalpine.
Brenda kësaj rezervë janë identifikuar 25 lloje habitatesh të listuara në Shtojcën I të Direktivës Evropiane të Habitateve, pesë prej të cilave klasifikohen si habitate parësore, me rëndësi të veçantë ekologjike.
Sipas Ministrit të Mjedisit të Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, përcaktimi i Liqenit të Shkodrës si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës përfaqëson një angazhim të përbashkët institucional mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për mbrojtjen e një trashëgimie natyrore me vlera të jashtëzakonshme.
“Ky proces forcon bashkëpunimin ndërkufitar dhe krijon një kornizë të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të ekosistemit, ruajtjen e biodiversitetit, përfshirjen aktive të komuniteteve vendore dhe përputhjen me standardet ndërkombëtare mjedisore,” thekson Jaupaj.
Dosja e nominimit përfshin gjithashtu trashëgiminë e pasur arkeologjike dhe kulturore të zonës përreth liqenit, si dhe rolin e saj historik si një udhëkryq i qytetërimeve romake, bizantine dhe osmane. Përmes këtij procesi, Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë ta pozicionojnë pellgun e Liqenit të Shkodrës si një model harmonie mes njerëzve dhe natyrës, duke promovuar zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje afatgjatë të këtij ekosistemi unik.
