Deputeti i Partia Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të një investigimi televiziv mbi projektin Durrës Marina, ku pretendohet se disa godina janë zhytur me dhjetëra centimetra.
Përmes një postimi publik, Këlliçi deklaroi se “Dubai i propagandës po fundoset”, duke e cilësuar projektin si një aferë të rëndë korruptive të lidhur me kryeministrin Edi Rama.
“Sot ka qenë edhe vetë IKMT që ka konfirmuar zhytjen me të paktën 28 centimetra të këtyre pallateve që janë një projekt personal i Edi Ramës dhe Alabarit”, shkroi ai.
Sipas Këlliçit, problematikat e konstatuara tregojnë mungesë standardesh në ndërtim dhe rrezik për sigurinë e strukturave.
“Zhytja e disa godinave deri në 28 centimetra ka ngritur shqetësim për standardet e ndërtimit dhe sigurinë. Institucionet shtetërore kanë pranuar zyrtarisht se ka një fundosje dhe i kanë kërkuar kompanisë të marrë masa”, tha deputeti demokrat.
Ai akuzoi qeverinë se ia ka dhënë projektin investitorit pa transparencë dhe duke dëmtuar interesin publik.
“Kjo është zhbërje e propagandës së Edi Ramës. Porti i Durrësit u trajtua si pronë private dhe shqiptarëve iu hoq një aset strategjik”, u shpreh Këlliçi.
Sipas tij, projekti është shoqëruar me përfitime të padrejta financiare dhe mungesë investimi real nga kompania zhvilluese.
“Është një nga krimet më të rënda financiare ndaj vendit. Janë mbledhur dhjetëra milionë euro nga qytetarët, ndërsa investitori ka marrë falas një truall me vlerë gjysmë miliardë euro”, deklaroi ai.
Këlliçi përfundoi duke thënë se, sipas tij, përgjegjësit për projektin do të duhet të japin llogari në të ardhmen.
