Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për Rexhep Rrajën dhe anëtarët e tjerë të grupit të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Në burg do të qëndrojnë: Islam Sefa, Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Zamir Aliaj, Jani Cavo dhe Marvin Bushati. Ndërkohë, Sokol Qaja dhe Agim Nina nuk kanë paraqitur ankim.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi u zbulua pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC dhe akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Baza e veprimtarisë ishte në Nikël, ndërsa në krye të njërit prej grupeve qëndronte Rexhep Rraja, i dyshuar si organizator i trafikimit të 236 kg kanabis drejt Turqisë, ngjarje e datës 26 janar 2021 në pikën kufitare Kapikule.
Dosja zbardh rolet e secilit, komunikimet mes anëtarëve, përplasjet pas sekuestrimit të drogës dhe dyshimet për tradhti brenda grupit. Kamioni me targa shqiptare, ku droga ishte fshehur në tavan, kaloi skanerin, por u ndalua për kontroll të imtësishëm nga autoritetet turke, çka çoi në bllokimin e ngarkesës.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të lidhura me grupin janë sekuestruar rreth 430 mijë euro, një armë zjarri dhe prova të tjera. Hetimet vijojnë për personat e shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
