Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar protestën e thirrur nga opozita e bashkuar më 20 shkurt, pjesëmarrjen e saj, si dhe të ardhmen e opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar protestën e thirrur nga opozita e bashkuar më 20 shkurt, pjesëmarrjen e saj, si dhe të ardhmen e opozitës.
Sa i takon pozicionimit të saj , Tabaku tha se ajo është pjesë e grupit parlamentar të PD dhe ka qenë gjithmonë e hapur për bashkim, por sipas saj kjo duhet të ndodhë më parë në bazë.
“Unë nuk kam munguar në asnjë protestë të opozitës apo të PD. Protesta është një mënyrë shumë e mirë për të kanalizuar atë që ndjejmë ndaj qeverisë. Shqetësimi im ka qenë se çfarë ndodh të nesërmen pas protestës. PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse.
Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD, por kam kërkuar një bashkim para 3 viteve, edhe para zgjedhjeve lokale. Këtë ndarjen që ka ndodhur në grupin parlamentar, ka ndodhur edhe në bazë dhe është e vështirë t’u themi këtyre qytetarëve të bashkohen pasi u bashkuam edhe ne. Unë e kam mbështetur idenë e Konfederatës si një formë bashkimi e opozitës.
Sistemi elektoral sot favorizon koalicionet, nëse do jemi të copëtuar do të ndihmojmë vetëm kundërshtarin tonë, që është qeverisja. PD nuk e ka dhe nuk e ka pasur betejën me SPAK dhe nuk duhet ta ketë.
Me durim po pres të flas në foltoren e Kuvendit, sepse qytetarëve u mungon të flasim se për çfarë po ndodh. Mbyllja e seancave për pak minuta dhe miratimi i ligjeve pa debat është niveli më i ulët i parlamentarizmit. Jam e sigurt që mazhoranca do bënte të njëjtën gjë që ka bërë me ligjet, por ne do vëzhgonim procesin”, u shpreh ajo mes të tjerash.
