Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas përgjimeve të reja, duke deklaruar se ato zbulojnë një skemë të rëndë ndërhyrjeje në drejtësi nga zyrtarë të lartë të administratës qeveritare.
Sipas Shehajt, përgjimet tregojnë se dy zyrtarë kanë hakeruar e-mailet e prokurorëve me qëllim marrjen e dosjeve hetimore dhe dërgimin e tyre te kryeministri, për të ushtruar presion, shantazh dhe frikësim ndaj drejtësisë.
“Është çmenduri ajo që del nga këto përgjime. Flitet hapur për shkarkimin e dosjeve hetimore dhe dërgimin e tyre te kryeministri, me synimin për t’i thyer prokurorët”, deklaroi Shehaj, duke theksuar se gjuha e përdorur është tepër fyese dhe alarmante.
Ai shprehet se mazhoranca ka vepruar në mënyrë të dëshpëruar për të mësuar se kush po hetohej dhe çfarë provash kishin prokurorët, sidomos në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, nga e-mailet e hakuara janë marrë informacione për dosje që lidhen me figura të rëndësishme të pushtetit.
“Arrijnë deri aty sa të hakerojnë prokurorët për të ndalur drejtësinë. Marrin dosje, informacione, gjithçka që u duhet për të mbrojtur të korruptuarit. Qëllimi është i qartë: ndalimi me çdo kusht i hetimeve”, tha ai.
Shehaj theksoi se drejtësia është e vetmja shpresë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe bëri thirrje për mbështetje të fortë qytetare ndaj saj.
Ai ftoi qytetarët të firmosin një deklaratë në mbrojtje të drejtësisë, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet edhe jashtë Shqipërisë.
“Shqiptarët duhet të tregojnë qartë se janë në krah të drejtësisë dhe kundër kapjes së shtetit”, përfundoi Shehaj.
