Partia Demokratike ka shprehur gatishmëri të plotë dhe pa kushte për një dialog të gjerë opozitar, me synim krijimin e një fronti të përbashkët kundër mazhorancës. Këtë e bëri të ditur përfaqësuesi i Forumit për Dialog Politik, Ermal Hasimja, pas takimit të zhvilluar në selinë blu.
Hasimja theksoi se PD ka treguar vullnet politik për bashkëpunim gjithëpërfshirës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të opozitës përballë asaj që e konsideroi keqqeverisje.
Në takim mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u shpreh se nuk është momenti për ndarje apo përplasje mes forcave opozitare, por për ndërtimin e një koalicioni të fortë kundër narkoshtetit dhe kapjes së institucioneve.
Forumi për Dialog Politik ka nisur një seri takimesh me partitë opozitare për të testuar gatishmërinë e tyre për bashkëpunim. Ndërsa PD dhe Partia e Lirisë janë shprehur pro kësaj nisme, disa forca të tjera opozitare ende nuk kanë dhënë një përgjigje pozitive.
Qëllimi i kësaj nisme mbetet bashkimi i opozitës në një aksion të përbashkët politik përballë qeverisë dhe krijimi i një alternative të besueshme për qytetarët.
