Partia Demokratike ka depozituar një ankesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kundër kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, ku e akuzon për përdorim të funksionit publik në funksion të fushatës së Partisë Socialiste.
Sipas PD-së, Isai ka zhvilluar takime me emigrantë shqiptarë në Greqi (Athinë, Volos, Agia, Larisa), në Londër dhe në qytete të tjera, duke përdorur slogane dhe simbole të Partisë Socialiste në postimet e tij në rrjete sociale. Në këto postime ai shfaqet duke promovuar hapur PS-në dhe duke i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë këtë parti në zgjedhjet e 11 majit.
PD pretendon se Isai ka vepruar si “kryetar bashkie-ushtar” i PS-së, duke ndikuar te votuesit përmes takimeve dhe regjistrimeve në Regjistrin e Emigrantëve (PER), në mënyrë të përsëritur dhe që prej janarit 2025.
PD thekson se Erion Isai ka shkelur ligjin duke përfshirë pushtetin vendor në fushatë politike dhe duke promovuar kandidatët e PS-së për zgjedhjet parlamentare. Sipas PD-së, kjo përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal dhe paraqet një precedent të rrezikshëm të pandëshkueshmërisë.
