Ja të gjitha dëshmitë e Ahmetajt për Edi Ramën, nga pastrimi i parave, takimet me trafikantët në zyrë, kriptovalutat dhe akuzat për Ergys Agasin, gazetari italian paralajmëron se ish-zv.kryeministri tregoi vetëm majën e ajsbergut, reagon sërish kryeministri shqiptar

Data

Pjesa e dytë e reportazhit për Shqipërinë e emisionit “Report” në RAI 3, nxori në fundjavë në pah të tjera skandale të lidhjes së krimit të organizuar pushtetin, të treguara nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Në një drekë familjare me miqtë, pa e ditur se po filmohej, Ahmetaj ka treguar lidhjet e kryeministrit Rama me persona të lidhur me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.  Gjithashtu Ahmetaj ka hedhur akuza se kriptomonedhat janë një tjetër mënyrë e pastrimit të parave në Shqipëri, dhe pikërisht këtu hyn në skenë D’Alema. Ahmetaj: Thënë mes meje e tej nuk dua të flas për D’Alemën sepse për mua ai është i madh. Biznesi i tij janë kriptovalutat. Gazetari: Kriptovalutat? Ahmetaj: Bën lobistin për kompani kriptovalutash. Massimo D’Alema ka një kompani lobimi në Shqipëri, që quhet A&I, me objekt konsulencën institucionale të bizneseve që duan të ndërkombëtarizohen. Ish-kryeministri italian u pyet edhe nga gazetari Giorgio Mottola, por preferoi t’i shmangej pyetjeve. Gjithashtu Ahmetaj tha se personat e krimit priteshin në zyrë nga Rama, ndërsa ndërmjetësi mes tyre është Ergys Agasi, një biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish-deputeti të fuqishëm socialist. “Pastrojnë paratë e drogës, nga vijnë gjithë këto para. Edi Rama nuk është vetëm i lidhur por i përdor për zgjedhje. I takon në zyrën e tij, unë nuk kam pranuar kurrë të marr pjesë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani. Po janë kapot e mafias”, dëgjohet të thotë Ahmetaj në videon e publikuar nga RAI 3.

Kush është Ergys Agasi?

Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta. Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ndërsa sot në burg me dy dënime nga GJKKO për aferën e inceneratorëve. Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave mallrave. Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Ilir Metës, pasi ai do të rikthehej sërish në Partinë Socialiste. Deklarata e Ahmetaj nuk është e para akuzë që i bëhet Ergys Agasit, pasi më herët ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të tij. Sipas Berishës, Ergys Agasi është njeriu që drejton bandat e Durrësit për llogari të Edi Ramës. “Miq, prej kohësh në një seri denoncimesh, qytetarët dixhital informojnë se Ergys Agasi është njeriu që drejton bandat e Durrësit, Shkozetit, Shijakut, por edhe të zonave përreth, kontrollon portin, doganat, cigaret, por edhe të tjera dhe de facto është inspektori i përgjithshëm dhe më shumë se kaq i SHIK-ut megjithë klerencën e tij të zezë”, shkruante Berisha.

Paralajmërimi i gazetarit italian

Gjithashtu dje gazetari i RAI3, Giorgo Mottola, teksa foli për herë të parë pas publikimit të puntatës së dytë të investigimit për qeverinë shqiptare tregoi detaje nga takimi me Arben Ahmetajn, duke thënë se mafia në Itali është luftuar vetëm duke verifikuar të dhënat e të penduarve dhe shpreson që drejtësia në Shqipëri të punojë që Ahmetaj të kthehet në një të penduar dhe të verifikohen të gjitha dëshmitë e tij. Sipas gazetarit, ish-zv/kryeministri ka treguar vetëm majën e ajsbergut. “Unë shpresoj që Ahmetaj të mos kërcënohet, por di që ai ndodhet në një vend të lirë si Zvicra dhe ka aplikuar për azil. Besoj se ai plotëson kushtet për të përfituar azilin, por ai na ka treguar vetëm sipërfaqen e asaj që ai din pasi është vetëm maja e ajsbergut. Unë besoj se një gazetar i mirë i jep të gjitha lajmet që ka pasi nëse i mban në sirtar do ti përdorë për gjera të tjera që skanë lidhje me gazetarinë por në atë bisedë që kisha me të, ishin të gjitha aty që u transmetuan. Në rrëfimin e Ahmetaj në lidhje me raportet e tij me Ramën  dhe qeverinë ai mendon se është zgjuar dhe është bërë i vetëdijshëm për atë që ndodhte përpara syve të tij. Një njeri kur fillon të flasë si në rastin e Ahmetaj kur ka një kërkese arresti për të kjo pendesë është e sforcuar pasi ka qenë prej vitesh krahu i djathtë i tij. Rama nuk e ka legjitimuar deklaratën e Ahmetajt”, tha ai në një intervistë televizive. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka ironizuar dje në rrjetet e tij sociale reagimet pas emisionit të RAI 3. “U mbars mali polli një mi dhe tani minj, hardhuca e zhapikë kanë kohën e ahengut të fitores në humbje! Është koha e daljes së shpirtit të së keqes që mpaket e çirret, ndërkohë që Shqipërinë as e ndal dot më kush dhe as e nëpërkëmb dot më askush”, tha Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related