Partia Demokratike ka ngritur sot një tjetër akuzë për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike, këtë herë lidhur me ndërtimin e unazës së qytetit të Burrelit. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se rruga është dëmtuar dhe asfalti është çarë ende pa u përfunduar projekti, ndërkohë që mbikëqyrjen e punimeve nuk e ka kryer operatori fitues i tenderit, por një punonjës i ARRSH.
Sipas Vangjelit, më 22 tetor kryeministri publikoi në rrjetet sociale pamje nga punimet “drejt përfundimit”, duke theksuar që po vendoseshin shtresat e fundit të asfaltit dhe veprat e artit ishin gati. Por, PD thotë se realiteti në terren është krejt tjetër.
ARRSH, sipas dokumenteve të bëra publike nga PD, ka lidhur kontratë në 6 mars me kompaninë “Ulza shpk”, në vlerën 1.2 milion euro, për sistemim dhe asfaltim të rrugëve në zonën veriore. Ndërkohë, mbikëqyrja e punimeve u fitua më 2 qershor nga bashkimi i operatorëve “LENI ING shpk – ANGERBA shpk”.
Megjithatë, në tabelën teknike të vendosur në kantier, si mbikëqyrës figuron jo operatori fitues, por një punonjës i ARRSH, Nikollaq Mihali. Vangjeli ngre pikëpyetje se ku kanë përfunduar fondet e mbikëqyrjes dhe pse operatori fitues nuk ka ushtruar detyrën.
Ajo publikoi edhe pamje nga terreni ku duken çarje të asfaltit dhe dëmtime të dukshme në segmentet e sapo ndërtuara.
“Kjo është fytyra e vërtetë e propagandës qeveritare, që përpiqet të fshehë dështimet me foto dhe statuse në rrjetet sociale,” tha Vangjeli.
Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë këtë që ajo e cilëson si “rast skandaloz” dhe si shembull të qartë të keqpërdorimit të fondeve publike dhe mungesës së përgjegjshmërisë në proceset e ndërtimit.
Sipas PD-së, qytetarët nuk duhet të përballen me vepra publike që degradojnë pa u dorëzuar ende dhe që sipas saj janë produkt i korrupsionit dhe mungesës së kontrollit real teknik.
