Partia Demokratike ka kritikuar krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke e cilësuar atë si një projekt të kushtueshëm që, sipas opozitës, rrezikon të shndërrohet në një tjetër mekanizëm klientelizmi dhe propagande qeveritare.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se qeveria po shpenzon miliona euro për konsulencë, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset përballen me vështirësi ekonomike, mungesë financimi dhe barrë të lartë fiskale.
Sipas saj, megjithëse Kuvendi ka miratuar ligjin për krijimin e bankës dhe qeveria ka akorduar 1 miliard lekë si kapital fillestar, institucioni ende nuk disponon strategji të qartë funksionimi, strukturë operacionale apo plan zhvillimi.
PD thekson se qeveria ka hapur një tender me vlerë 3.3 milionë euro për konsulencë, me qëllim hartimin e kuadrit institucional, strategjik dhe operacional të bankës, një veprim që opozita e konsideron të pajustifikuar.
“Shqiptarët kanë të drejtë të dinë pse një bankë shtetërore krijohet pa pasur paraprakisht strategjinë dhe strukturën bazë të funksionimit”, deklaroi Vangjeli.
Sipas Partisë Demokratike, fondet publike po përdoren për ngritjen e strukturave të reja pa transparencë të mjaftueshme, ndërsa ekonomia reale, bizneset e vogla dhe investimet prodhuese vazhdojnë të përballen me mungesë mbështetjeje financiare.
Opozita e konsideron këtë projekt si pjesë të një modeli qeverisjeje që, sipas saj, favorizon kontratat e kushtueshme të konsulencës në vend të forcimit të kapaciteteve institucionale të administratës publike.
