Kosova shënon një tjetër hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës. Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë organizatë të re ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë zhvillim si historik për vendin.
Sipas Osmanit, anëtarësimi i Kosovës ka disa dimensione të rëndësishme. Së pari, bëhet fjalë për përfshirjen e Kosovës në një organizatë ndërkombëtare si anëtare themeluese. Së dyti, kjo organizatë është themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati strategjik i Kosovës. Së treti, përzgjedhja e Kosovës në mesin e shteteve themeluese vjen si njohje e përvojës së saj në shtetndërtim, ndërtimin e paqes dhe forcimin e aleancave ndërkombëtare.
Presidentja theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes nuk përfshin detyrime financiare të detyrueshme. Ajo sqaroi se në dokumentacionin zyrtar të dërguar nga SHBA nuk parashikohet asnjë pagesë, ndërsa kontributet eventuale lihen në vullnetin e shteteve anëtare.
Osmani nënvizoi se Kosova do të japë një kontribut domethënës përmes përvojës së saj unike në ndërtimin e paqes pas konfliktit, duke e cilësuar vendin si një nga sukseset më të mëdha të aleancës euroatlantike dhe angazhimit amerikan në rajon.
Ky angazhim i ri ndërkombëtar pritet të rrisë më tej profilin diplomatik të Kosovës dhe të forcojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e pozicionuar vendin si një faktor aktiv në përpjekjet globale për paqe dhe stabilitet.
