Pas thirrjes në SPAK për dosjen “Toyota Yaris” të belgëve, Taulant Balla në gjurmët e Ilir Metës, sulmon Altin Dumanin

Data

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla duket po ndjek gjurmët e ish-presidentit Ilir Meta me sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme. Alarmi i tyre dyshohet se është si produkt i dosjeve penale në SPAK, ku ish presidenti dhe Balla janë protagonist të drejtpërdrejtë. Dosjet e Ilir Metës i dimë, por edhe Balla nuk ngelet pas, pasi problemet e tij me drejtësinë janë të hapura dhe afera që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e “Toyota Yaris”, e cila është “qepur” nga belgët dhe prej kohësh këta të fundit kanë shkëmbyer informacione me prokurorët shqiptarë. Balla u thirr në fillim të këtij muaji brenda ambienteve të SPAK ku qëndroi mbi 1 orë. Madje po në fillim të prillit, Altin Dumani rrëzoi të gjithë propagandën që Ministri i Brendshëm ka bërë për suksesin që po korr Policia e Shtetit. Numri një i Antikorrupsionit në Shqipëri akuzoi publikisht kupolën e Policisë së Shtetit, si të lidhur me krimin e organizuar, madje tha se kanë ndërprerë dhe operacionet për goditje të rëndësishme pasi mund të përsëriten dekonspirimet, siç kanë ndodhur më parë. Por Balla nuk është dakord me këtë deklaratë të kreut të SPAK.

Balla kundër Dumanit

Taulant Balla u shpreh dje se asnjë aksion i përbashkët me SPAK nuk ka dështuar. “Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme gjej rastin të them që në vlerësimin tim dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Më rezulton që nuk kemi asnjë operacion të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme dhe të Policisë së Shtetit që të ketë pasur rrjedhje të informacionit. Të gjitha operacionet kanë qenë të suksesshme, të gjithë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste, janë mundur të identifikohen, të bëhet gati procesi, dhe më pas të arrestohen nga Policia e Shtetit. Ky bashkëpunim po vijon dhe në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka të bëjë me personat të cilët i shmangen drejtësisë, kështu që edhe në këtë aspekt, ne vijojmë të punojmë së bashku”, tha Balla.

“Kunjat” ndaj Dumanit

Në këtë situatë, Balla përmend edhe bashkëpunimet e suksesshme të Policisë së Shtetit me ndërkombëtarët. Dua ta theksoj që procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit është një proces i rëndësishëm, është prioriteti im kryesor në detyrën e Ministrit të Brendshëm, dhe të mos harrojmë që ky lidhet drejtpërdrejt me bashkëveprimin me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, qofshin këto vendase apo të huaja. Kur them agjenci ligjzbatuese Prokuroria e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë aleatët tanë të rëndësishëm për ta çuar përpara këtë proces, dhe po ashtu dhe agjencitë e tjera sikurse është Interpoli, Europoli. Të mos harrojmë, këtu mund t’ju marr një shembull, – vlerësimi i agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese për vitin 2023, Policia Britanike dhe ajo Metropolitane e kanë shpallur Policinë e Shtetit si partnerin e tyre më të mirë, sa i përket bashkëpunimit. Kjo lidhet drejtpërdrejt me besimin dhe punën efikase nga Policia e Shtetit. Por unë nuk e fsheh që ne ende nuk jemi aty ku unë dua të jemi, që ka të bëjë me gjykuesin tonë kryesor, dhe gjykuesi ynë kryesor është publiku. Unë pres dhe punojmë çdo ditë bashkë me çdo punonjës të Policisë së Shtetit për ta bërë këtë institucion dhe këtë organizatë partnerin më të besueshëm për qytetarët. Ata janë që na gjykojnë!” Shqipëria do të mirëpresë këtë qershor një konferencë ndërkombëtare të Interpol, çfarë vlerësohet nga Balla si një shenjë besimi e partnerëve për cilësinë e policisë sonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related