Situata para Kryeministrisë u tensionua mbrëmjen e së shtunës gjatë protestës së thirrur nga Partia Demokratike, kur një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt godinës dhe kordonit të policisë.
Si pasojë e përshkallëzimit të situatës, forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën duke përdorur mjete ujore dhe gaz lotsjellës. Ndërhyrja erdhi pas disa minutash tensioni, ndërsa policia synoi të rivendoste rendin dhe të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Sipas informacioneve paraprake, nga incidentet nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa zona përreth Kryeministrisë u vu nën kontroll nga shërbimet e rendit. Autoritetet po ndjekin zhvillimet dhe pritet të sqarohen rrethanat e plota të ngjarjes.
