Nga 1 tetori, pensionistët shqiptarë do të përfitojnë një rritje mesatare prej 3.1% të pensioneve të tyre, sipas ekspertit të ekonomisë Mario Brakaj. Indeksimi i ri i pensioneve pasqyron inflacionin e çmimeve të ushqimeve dhe pijes dhe prek mbi 730,000 të moshuar në të gjithë vendin. Pensionistët urbanë do të marrin rreth 617 lekë më shumë, ndërsa ata ruralë rreth 374 lekë në muaj, shuma që do të shkojë kryesisht për ushqim dhe ilaçe. Brakaj thekson gjatë një interviste për “A2 CNN” se ndryshimi është më i dukshëm në zonat urbane, por për të gjithë të moshuarit përfaqëson një ndihmë të rëndësishme në buxhetin familjar. Kujtojmë se ky indeksim që pritet të aplikohet në vjeshtë është pjesë e politikave për të përmirësuar standardin e jetesës së pensionistëve, ndërkohë që më poshtë po pasqyrojmë intervistën e Z. Brakaj.
-Pyetja që ngrihet natyrshëm është sa më shumë para do të marrin të moshuarit shqiptarë në pensionet e tyre. Gushti po i lë vendin vjeshtës dhe në tryezat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore po bëhen kalkulimet e fundit. Çdo shifër që shtohet nuk është thjesht statistikë, por përkthehet në buxhet familjar, në shpenzime për ilaçe apo ushqime. Vendimi i radhës për indeksimin e pensioneve pritet të japë përgjigje për mbi 700.000 qytetarë që presin me vëmendje se çfarë do të ndryshojë nga muaji tetor dhe pyetja më e rëndësishme është se sa do të rriten këto pensione. Përgjigjen për këtë pyetje dhe shumë të tjera na e kthen Mario Brakaj në studio. Mario, të përshëndes. Faleminderit që je në studio. E nisim pikërisht me këtë pyetje të parë. Sa do të rriten këto pensione?
Ja, i bëjmë bashkë llogaritë duke nisur nga inflacioni tek ushqimet dhe tek pijet. Sepse siç e dimë, indeksimi i pensioneve, që tashmë ndodh prej 1 tetorit (i katërti vit do të jetë 2025, përpara kemi pasur prej 1 prillit), bëhet mbi bazën e ecurisë së inflacionit, pra mbi bazën e ecurisë së rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të pijeve. Dhe ne deri tani, bazuar te të dhënat nga Instituti i Statistikave, kemi një inflacion mesatar 3.1%. Pra kemi nisur me inflacion 2.5%, 2.6% në janar, 2.8% në shkurt, 3% në mars. Ka pasur një trajektore rritëse, sepse kur kemi prodhim vendas, sigurisht që inflacioni bie disi, dhe në periudhat kur nuk kemi prodhim vendas, shkojmë në import dhe rrjedhimisht çmimi i atij produktit është më i lartë. Kështu që me inflacion 3.1%, kjo do të thotë që të moshuarit, ata që jetojnë në fshat, ata që jetojnë në qytet, pensionet e tyre nga 1 tetori do të rriten me mesatarisht 3.1%.
