Pas 5 muajsh kaos, kthehet normaliteti në Kuvend, Rithemelimi merr pjesë në komisione, bojkoton PD zyrtare, Jorida Tabaku përshëndet pazarin Rama-Berisha

Data

Pesë muaj pasi herë me përplasje fizike e herë me bilbila e tymuese nuk lejuan zhvillimin normal të jetës parlamentare, deputetët e opozitës hoqën dorë nga kaosi. Pasi morën sigurinë për kërkesat e tyre për 2 komisione hetimore dhe për t’u përfshirë në diskutimin për reformat, deputetët e Rithemelimit më në krye Gazment Bardhin u ulën në karriget e komisioneve parlamentare, për herë të parë dje që prej mesit të tetorit të vitit të shkuar. Me kthimin e tyre, Komisionet u zhvendosën sërish fizikisht në Kryesinë e Kuvendit, pasi për shkak të përplasjeve prej muajsh mbaheshin online. Por rikthimin në karriget e ligjvënësit, e patën me jo pak rezerva. Shumë prej deputetëve të Rithemelimit shprehën pakënaqësi për atë që morën në këmbim të normalitetit, e jo pak prej tyre edhe kërcënuan se nëse të drejtat do i shkelen sërish, kaosi do rikthehet. “Ju ftoj të keni përgjegjësinë maksimale, përndryshe ne i rikthehemi mungesës së normalitetit”, paralajmëroi dje deputetja e Rithemelimit, Albana Vokshi. Vetë Bardhi zgjodhi të qëndronte larg komentit për rikthimin në normalitet, por akuzoi se rishikimi i Buxhetit, që u votua pa opozitën, është anti-kushtetues. Bie ndesh me kushtetutën dhe është qartësisht marrje e kompetencave nga ana e Këshillit të Ministrave të kompetencave të Kuvendit”, tha Bardhi. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare, nga katër komisione në rendin e ditës, mori pjesë në vetëm atë të Shëndetësisë me deputetin Selaudin Jakupllari.

Tabaku mbledh “Integrimin”

Ndërkohë është mbledhur edhe Komisioni i Integrimit, nën drejtimin e deputetes së opozitës, Jorida Tabakut. Në mbledhje ishin të pranishëm deputetët e Rithemelimit, ndërsa ata të grupit Lulzim Basha munguan, njëjtë si në Komisionin e Ligjeve. Por me sa duket, pazari mes Edi Ramës dhe deputetëve mbështetës të Sali Berishës, qenka më i thellë se sa duket në pamje të parë. E para që ka reaguar lidhur me deklaratat e Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste se: “Brenda Komisionit të Ligjeve do të krijohet një mekanizëm me opozitën për procesin e integrimit”, ka qenë kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë, Jorida Tabaku, sipas së cilës, qeveria u kujtua për procesin e integrimit. “Më në fund qeveria i thirri mendjes duke hapur fillimisht veshët dhe sytë tek një temë që kam kohë që e flas dhe diskutoj publikisht për rëndësinë dhe nevojën”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama. Kjo deklaratë e deputetes Tabaku vjen në një kohë ku mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe atyre të “Rithemelimit” është arritur dakordësi për të ngritur disa komisione dhe nënkomisione parlamentare dhe kjo ngutje e deputetes demokrate duket më shumë sikur vjen në një kohë që të mos ngelet pas në pazarin mes PS-së dhe Rithemelimit të Berishës. Se sa është i interesuar Edi Rama për integrimin në Bashkimin Evropian, kjo është një çështje që ha diskutim, në një kohë kur përfaqësuesit e qeverisë së tij i kanë vjedhur të gjithë fondet e BE për bujqësinë dhe duke pasur reagime nga institucionet evropiane, mirëpo që të biesh pre e propagandës së Ramës dhe të nxitosh për të përshëndetur një deklaratë që qartazi është për konsum ditor, ose duhet të jesh naive ose pas mbështetjes fshihet frika për humbje të trenit të pazarit të radhës. Është e qartë që Rama ndihet i trysnuar nga publiku për shkak të bashkëpunimit me Sali Berishën, i cili është “non-grata” dhe me të cilin kishte deklaruar disa herë që nuk do të kishte asnjë lloj bashkëpunimi, kështu që atij e gjithë kjo do duhet ta shesë në kuadër të bashkëpunimit për integrimin evropian, por që ta besosh këtë propagandë të Edi Ramës, ky është problem i madh. Në këtë drejtim, Jorida Tabaku bëhet e para deputete e PD-së, e cila publikisht mbështet një deklaratë të Edi Ramës, qartazi për konsum politik, gjë që do të hapë edhe orekse të deputetëve të tjerë në radhët e Rithemelimit të Berishës. Nuk do jetë çudi që të gjithë atë “urrejtje” që kanë akumuluar kundër Ramës, tani pas dashurisë së dytë mes tij dhe Berishës, një gjë e tillë të reflektohet edhe në deklaratat e deputetëve të të dy kaheve, për të mishëruar kështu dëshirat e shefave të tyre politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related