Ditët në vijim pritet të jenë të nxehta për Policinë e Shtetit. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se drejtësia e re në vendin tonë pritet të godasë pushtetarët e inkriminuar. Mësohet se policë apo drejtues të lidhur me grupet kriminale kanë rënë në “rrjetën” e SPAK pasi iu ka dalë emri tek mijëra mesazhet e zbardhura nga aplikacioni “Sky ECC” nga viti 2019 deri në vitin 2022. Prokurorët specialë janë drejt fundit të hetimeve dhe kanë zbuluar se drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit kanë bashkëpunuar me kriminelë. Të dhënat e deritanishme tregojnë qartë korrupsionin e kupolës së Policisë së Shtetit dhe faktin se si drejtues të kësaj strukture dekonspirojnë operacione për kapjen e eksponentëve të krimit. Dhe ky është me siguri momenti kur do të shohim që nuk goditet thjesht dhe vetëm ai polici që merr 1 mijë lek ryshfet, por kupola drejtuese që marrin mijëra euro në fund të muajit nga bota e krimit në mënyrë që ata të mos kenë shqetësime me ligjin. Janë ata drejtues që i kanë emrat në listëpagesën e grupeve kriminale, që mbi apo nën zë janë akuzuar dhe herë të tjera për lidhje me bandat, që kanë kapur majat e piramidës drejtuese brenda policisë për të abuzuar me pushtetin dhe forcën që u jep ligji me qëllimin për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë.
Por, si rrodhi gjithçka nga thyerja e një kodi në “Sky ECC”?
Zbërthimi i aplikacionit “Sky ECC” u pasua nga një numër i madh operacionesh në verën e vitit 2022 duke arrestuar dhjetëra anëtarë të grupeve kriminale, ndërsa u kapën edhe sasi të mëdha droge dhe armësh. Pas thyerjes së kodit të këtij aplikacioni, policia ishte në gjendje të lexonte mesazhet e koduara të dërguara nga trafikantët e dyshuar të drogës për disa vite. Sky ECC ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh dikur i vlerësuar nga baronët e krimit të drogës. Por, pasi u godit nga hetuesit në vitin 2021, ajo ka njohur vetëm rënie. Policia nga Belgjika, Franca dhe Holanda tani po shqyrton një gamë të madhe mesazhesh të dërguara brenda bandave të fshehta të kontrabandës së drogës dhe ata kanë filluar të arrestojnë personat e inkriminuar. Sipas Sky ECC, produkti i tyre është ndërtuar mbi parimet e sigurisë zero të besimit, i cili e konsideron çdo kërkesë si shkelje dhe e verifikon atë duke përdorur shtresa sigurie për të mbrojtur informacionin e ndjeshëm. Sky ECC kodon komunikimet përmes tuneleve private nëpërmjet rrjeteve të shpërndara dhe nivelit më të lartë të kriptimit.
