Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për përjashtimin për 60 ditë nga Kuvendi të deputetit të Partia Socialiste, Taulant Balla.
Kërkesa i është drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën dhe bazohet në pretendimet se Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputeteve të opozitës gjatë seancës plenare të 2 prillit.
Sipas PD-së, incidenti ndodhi gjatë debatit mes deputeteve Elda Hoti dhe Bora Muzhaqi, kur Balla ndërhyri me fjalë të ashpra ndaj Hotit. Po ashtu, ai akuzohet se ka përdorur gjuhë të papërshtatshme edhe ndaj deputetit Fatmir Mediu.
Demokratët theksojnë se kjo nuk është hera e parë që Balla përdor gjuhë të tillë, duke përmendur edhe një rast të mëparshëm ndaj deputetes Albana Vokshi.
Në kërkesë argumentohet se sjellja e Ballës shkel:
- Rregulloren e Kuvendit (nenet 62, 63, 65)
- Kodin e Sjelljes së Deputetit (nenet 3, 5, 6)
Sipas PD-së, përdorimi i gjuhës fyese dhe kërcënuese:
- cenon dinjitetin e deputetëve,
- dëmton imazhin e Kuvendit,
- dhe normalizon një kulturë të papranueshme komunikimi, veçanërisht ndaj grave në politikë.
Kërkesa përfundon me thirrjen për masën më të rëndë disiplinore: përjashtim nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për 60 ditë, me qëllim parandalimin e përsëritjes së rasteve të ngjashme në të ardhmen.
