Enkelejd Alibeaj dhe katër deputetë të tjerë të opozitës, në një zhvillim të papritur dhe të rëndësishëm në politikën shqiptare, kanë shpallur dje ndarjen nga Lulzim Basha dhe krijimin e një grupi të ri parlamentar, që siç lanë të nënkuptohet ata do t’i paraprijë edhe lindjes së një partie të re politike. Konkretisht Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi, bashkë me 3 deputetët e opozitës Flutura Açka, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari prezantuan dje grupimin e ri parlamentar, që siç thanë, mendojnë ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës.
Ky hap shënon një ndryshim të dukshëm në peizazhin politik të vendit, duke theksuar një ndarje të rëndësishme brenda opozitës dhe duke sjellë një përplasje të re në arenën politike. Ndërkohë që zhvillimet e fundit në politikën dhe drejtësinë shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e publikut, ky grup i ri ka ngritur akuza të forta ndaj dy figurave kyçe të politikës shqiptare, Sali Berishës dhe Edi Ramës, për pazare politike dhe korrupsion, ndërsa gjithashtu i kanë bërë thirrje Prokurorisë Speciale (SPAK) që të hetojë sa më shumë politikanë “VIP” (ministra e deputetë). Kjo ndarje dhe akuzat që e shoqërojnë kanë hapur një kapitull të ri në debatin mbi transparencën dhe llogaridhënien në politikën shqiptare, duke i dhënë një goditje të fortë status quo-së në vend.
Shehi sqaron detaje nga nisma
Deputeti Dashamir Shehi sqaroi se nuk bëhet fjalë për një parti politike, as për një grupim politik por një grupim parlamentar që ka 5 deputetë, por mund të ketë edhe të tjerë në vazhdim. Shehi theksoi dje se me opozitën i bashkon lufta kundër regjimit të Ramës, por i ndajnë 3 gjëra të rëndësishme. “Ne jemi një grupim politik. Mund të bëhemi grup parlamentar siç është me ligj. Ne sot jemi 5 vetë. Si ne mund të mendojnë dhe 15 do ta shikojmë gjatë rrugës. Ky është nukli i parë parlamentar që mendon ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës për shumë gjëra. Si do të hyjmë në zgjedhje? Do ta shikojmë rrugës. Mund të hyjmë si parti të ndryshme të gjitha bashkë. Do të tentojmë që kushdo që i bashkohet këtij grupi të hyjmë me listë të hapur.
Ky është principi që na bashkon. A do të jenë 2, 4 apo 5, do ta shohë rruga. Sot s’po bëjmë as parti por po deklarojmë publikisht që mendojmë ndryshe. Pra nuk është grup politik”, deklaroi ai. Më tej deputeti Dashamir Shehi sqaroi konkretisht 3 gjërat që i ndan me kolegët e vet të opozitës. “Ne me kolegët e tjerë opozitarë na bashkon lufta kundër qeverisë së korruptuar dhe lufta kundër autokracisë së Edi Ramës. Na ndajnë tre gjëra: Përqasja që kemi për demokracinë. Ata bënë një marrëveshje për listat, ranë dakord praktikisht, ne donim ti hapnim dhe ti jepnim rrugë atyre që janë jashtë Parlamentit. Kjo është ndarje e madhe. Na ndan përqasja që kemi ndaj sistemit të drejtësisë.
Edhe ne e konsiderojmë që ka defekte por gjithsesi është lloj shprese sot për sot për të pastruar një pjesë të politikës shqiptare. Na ndan dhe raporti që kemi për ndërkombëtaret. Nuk mund të orientojmë të djathtën shqiptare të bëjë këtë politike që bën sot. Jo anglezi, jo Amerika. Pse? Se ia bëmë peshqesh lidhjen që ishte e jona me të djathtën europiane, me perëndimin e Amerikën Edi Ramës. Në vend që të ishim ne protagonistët u bënë kalamajtë e liderët e komunistëve, PS-ja trashëgimtarja e Partisë së Punës. Na u bë më perëndimore se ne”, nënvizoi Shehi.
Reagon edhe Alibeaj
Ndërkohë sqarime për nismë dha dje edhe deputeti Enkelejd Alibeaj. “Na bashkon një qëndrim i qartë dhe i saktë pa ekuivok në mbështetjen e drejtësisë. Raportet me partnerët strategjikë janë të domosdoshme. Ne që jemi këtu mendojmë që sot opozita por dhe parlamenti është distancuar vite dritë larg nga publiku. Një nga elementet është vota përmes listave të hapura. Është e udhës që sot ti dorëzohet popullit e drejta të vendosë dhe një nga këto është vendimi për të dalë me lista të hapura”, deklaroi ai. Por si do të prezantohen në zgjedhje të reja? Ende nuk e kanë të qartë. Megjithatë ftesa është e hapur dhe jashtë parlamentit.
“Mund të prezantohemi si bashkim partish. Thirrja jonë nuk është vetëm për kolegët, por i thërrasim dhe partive të tjera jo parlamentare, flukseve të tjera jo të formalizuara dhe elitës shqiptare të prezantohet në formën e një bashkësie politike, do të aplikojmë sistemin me lista të hapura. Ka vend të gjithë për të garuar me kushte të barabarta me lista të hapura. Akses për të gjithë dhe përballje me popullin shqiptar”, tha ai.
