Franca refuzon dërgimin e anijeve luftarake në Ngushticën e Hormuzit, BE kërkon zgjidhje diplomatike

Data

Tensionet mes Shtetet e Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë janë thelluar ndjeshëm, pasi disa vende të rëndësishme europiane kanë refuzuar të mbështesin operacionin ushtarak në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti Donald Trump ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj aleatëve të NATO, duke lënë të hapur mundësinë që SHBA të rishqyrtojë anëtarësimin në aleancë. Ai deklaroi se vendi i tij “ndihmon të tjerët, por nuk ndihmohet”, duke theksuar se kjo situatë është e papranueshme për partneritetin transatlantik.

Trump madje sugjeroi se një vendim i tillë mund të merret edhe pa miratimin e Kongresit, duke shtuar se aktualisht nuk ka një plan konkret, por se çështja është “për t’u menduar”.

Nga ana tjetër, Emmanuel Macron ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke deklaruar se Franca nuk do të marrë pjesë në operacione ushtarake në këtë fazë të konfliktit. Ai theksoi se vendi i tij nuk është palë në luftë dhe se çdo angazhim do të konsiderohet vetëm pasi situata të qetësohet.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës. Shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi se përshkallëzimi i situatës mund të shkaktojë pasoja të rënda globale, duke përfshirë krizë energjetike, ushqimore dhe industriale.

Sipas saj, askush nuk është i gatshëm të rrezikojë jetët e ushtarëve në një zonë kaq të ndjeshme, ndërsa theksoi nevojën për të mbajtur të hapur këtë rrugë strategjike për tregtinë botërore.

Qëndrimi refuzues nuk është vetëm i Francës. Edhe vende si Britania, Gjermania dhe Spanja kanë sinjalizuar se nuk duan të përfshihen në një konflikt më të gjerë me Iranin, duke e konsideruar situatën jashtë mandatit të NATO-s.

Kjo përçarje mes aleatëve perëndimorë vjen në një moment kritik për sigurinë globale, ndërsa kriza në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet. Nëse tensionet vazhdojnë, rreziku nuk është vetëm ushtarak, por edhe ekonomik, duke pasur parasysh rëndësinë jetike të Ngushticës së Hormuzit për furnizimin global me naftë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related