Dy kontrata me vlerë kumulative 2.4 miliardë lekë apo 24 milionë euro u lidhën së fundmi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me operatorët Geci dhe Salillari sa i takon dy projekteve të ndara.
Kontrata “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve (Parkimi i QSUT): Ndërtimi i godinës së Parkimit Multifunksional me shume nivele në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT)” fituar nga Sallillari u fitua me vlerën 1.4 miliardë lekë apo 14 milionë euro.
“Projekti përbëhet nga dy ndërtesa me pesë kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Ndërtesa e parë do të shërbejë si parkim për automjetet me një volum 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Kjo ndërtesë do të lidhet me ndërtesën e re të mjekësisë së përgjithshme dhe ndërtesën kryesore të urgjencës. Ndërtesa e parkimit pozicionohet në hyrjen kryesore të QSUT-së, në perëndim të ndërtesës ekzistuese të urgjencës.
Ndërtesa e dytë do të jetë hotel dhe pozicionohet në veri të ndërtesës së parkimit e ndarë me një fugë 15 cm. Kjo ndërtesë ka 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe të logjistikës dhe 1 kat nëntokë që do të shërbejë për ambiente teknike në funksion të hotelit” thuhet në raportin teknik të procedurës së prokurimit.
Sakaq kontrata e dytë fituar nga GECI ka në objekt të saj ““Përmirësimi i Transportit Rajonal, me rrugë lidhëse kryesore (Unaza Durrës, etj): Lidhja e Currilave me rrugën Aleksandër Goga nëpërmjet rrugës Isuf Ferra,(Vangjel Gjurgaj), rruga Vojsava, rruga Prokop Meksi, rruga Abdulla Teku (Sul Demiri) dhe Pjeter Budi” me një ofertë 1 miliard lekë apo rreth 10 milionë euro.
