Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencat dy subjekteve private të sigurisë fizike, të kontraktuara për ruajtjen e pronës në Portonovë të Zvërnecit, pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së 30 majit.
Bëhet fjalë për kompanitë Myrto Security 1.3A dhe Major Security, ndaj të cilave u konstatuan shkelje të rënda gjatë verifikimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike.
Sipas Policisë së Shtetit, kompania “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave apo mjeteve të autorizuara për të hyrë në territorin e rrethuar. Si pasojë, persona të paidentifikuar arritën të futeshin në zonë dhe, sipas autoriteteve, ushtruan dhunë ndaj një protestuesi pa u penguar nga personeli i sigurisë.
Policia thekson se këta persona jo vetëm që goditën dhe tërhoqën me forcë një pjesëmarrës në protestë, por reaguan edhe me gurë dhe sende të tjera ndaj protestuesve. Pavarësisht situatës, kompania nuk ndërmori asnjë veprim për parandalimin ose largimin e tyre.
Ndërkohë, për kompaninë “Major Security”, hetimet administrative zbuluan se një punonjës i licencuar, së bashku me dy persona të tjerë të palicencuar, të cilët nuk figuronin të regjistruar pranë subjektit, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një protestuesi. Sipas Policisë, personi u godit me grusht, u mor me forcë dhe u dërgua brenda rrethimit të pronës, duke pësuar dëmtime trupore.
Në përfundim të procedurës administrative dhe bazuar në ligjin “Për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, firmosi vendimin për heqjen e licencave të të dy kompanive.
Policia bëri të ditur se hetimet penale dhe administrative për ngjarjen në Zvërnec vijojnë, ndërsa përgjegjësit e përfshirë në incident do të përballen me procedurat ligjore përkatëse.
