Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor kryetarin socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Ai është dënuar me 1 vit burgim dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhe 5-vjeçare. Këtë dënim kishte kërkuar në pretencë edhe prokurori i SPAK, Edvin Kondili.
Gjithsesi, Edison Memolla nuk do të përfundojë në burg, pasi duhet të pritet dhe vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi kryebashkiaku njoftoi se do ta ankimojë vendimin.
“Do të presim të zbardhet vendimi, pastaj do të kemi një deklaratë më të qartë. Do jua japim edhe ju mediave, do e publikojmë. Vendimin do ta ankimojmë” tha Edison Memolla pasi doli nga salla e gjyqit.
Me 1 vit burgim është dënuar edhe shtetasi Blerim Xhamani, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim ka qenë elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë.
